Dëshmi

May 22, 2019 | 9:35

Plaurent Shushku: Muzika popullore zgjat jetën!

Muzika është si drita që ndriçon shpirtin në çfarëdo tuneli a pengese të kesh hasur në jetë. Është adrenalina dhe rifurnizimi i energjive pas të cilash rrekesh të kapesh fort për të gjetur motivin e vazhdimësisë. Ai e ka këtë armë të fortë dhe zemra i rreh edhe më fort kur me zërin e tij të fuqishëm, ka fuqizuar shpirtërisht plot ndjekës e dashamirës të muzikës që bën.

Plaurent Shushku, apo siç thirret edhe në muzikë nën emrin e miqve, Rati, ka fatin të jetë një bashkudhëtar i denjë e plejadës së artistëve të muzikës popullore shqiptare, duke sjellë në repertorin e tij, kryesisht folkun e Shqipërisë së Mesme. Ai nuk i trembet asfare ngarkesave, pasi muzika popullore për të është si një ilaç që shëron në çaste vetmie, mungesash a vështirësish që jeta rezervon. Ndaj sipas tij, “bën mirë ta kesh gjithmonë me vete”, për t’ua dhuruar këtë kënaqësi edhe atyre që duan ta shijojnë dhe gëzojnë deri në fund muzikën. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, pasi një atmosferë festive shqiptare kurrsesi nuk mund të kuptohet pa tabanin e muzikës vendase.

Kjo traditë në fakt nuk ka mbetur vetëm brenda kufijve. Përmasat e saj prej dy dekadash janë shtrirë edhe jashtë kufijve, duke bërë që edhe Rati bashkë me shumë kolegë të tjerë, të jetë pjesë e turneve të ndryshme botërore. Tepër i dashur dhe me një karrierë të gjatë artistike, Plaurenti renditet ndër këngëtarët më të suksesshëm të muzikës popullore shqiptare. Natyrisht që si për çdo artist, edhe për Ratin ka qenë një vit i ngjeshur me koncerte, aktivitete dhe organizime jashtë kufijve shqiptarë, aty ku shqipja thërret në gjuhën e vet.

Por çfarë ka diçka më shumë në ambiciet e të qenit artist këto kohë? Përtej angazhimeve të ndryshme anembanë botës, ai nuk lë pa e shfrytëzuar kohën e lirë për të sjellë dhe këngë të reja. “Ajo që do theksoja si punën time të freskët këto kohë janë dy këngët e reja që kam nxjerrë në qarkullim, të cilat janë shndërruar në hite. Është një bashkëpunim me Amardën, ‘Kavalieri’ dhe tjetri, ‘Ama Dashnin’.

Bashkëpunimet janë shumë të rëndësishme për një artist, pasi japin mundësi dhe hapësira të reja për krijimtari më të gjerë. Natyrisht që vlerësoj një sërë miqsh të mi në muzikë”. Viti 2018 për këngëtarin profesionist, Rati, do të vijë me projekte të shumta muzikore, madje premton që do të rikthehet me surpriza të reja, që për momentin preferon t’i lërë të pazbuluara.

Muzika të bën më human

Humanizmi është një virtyt që në kohët e sotme gjithnjë e më shumë kërkohet. Të qenit artist ia plotëson edhe më shumë këtë aspekt, duke e dalluar si një personazh karizmatik. Për Ratin të gjithë thonë “është tejet pozitiv”, e kjo padyshim ia ngre vlerat ku bëhet bashkë me nevojën për t’ju gjendur në krahë atyre që kanë nevojë për mbështetje. “Kjo është ajo që dua të bëj, të ndihmoj të varfrit, njerëzit në nevojë, në veçanti fëmijët jetimë. Ku ka më bukur se një pjesë të ardhurave, por edhe dashurisë tënde ta japësh të pakufizuar ndaj këtyre kategorive njerëzore.

Kjo gjë më bën të ndihem mirë nga ana psikologjike, por jo vetëm”. Plaurent Shushku renditet ndër këngëtarët më të mirë të momentit, dhe ndër të paktët që ka bërë shumë bashkëpunime me interpretues po kaq të mirë. Ai në fakt ka një marrëdhënie shumë të mirë me kolegët, por parimi i tij është “të bëj sa më shumë këngë për të kënaqur fansat”. Rati ka shumë vite që këndon dhe thekson se “kurrë nuk do të ndalem së kënduari, por do ta bëj derisa të kem fuqinë dhe shëndetin”.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 136

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top