Marrëdhënie

June 27, 2017 | 11:55

Po kur ajo është më e madhe?

Thonë që natyra nuk është treguar korrekte me pjekurinë seksuale femërore dhe mashkullore. Faktikisht ky është një paragjykim që ne njerëzit u kemi vetëkrijuar
lidhjeve tona seksuale.

samaarontaylorjohnson

Seksualiteti në çift funksionon më së miri nëse të dy palët ia shprehin dëshirat e tyre njëritjetrit. Por sa kohë i duhet një femre të kuptojë çfarë i pëlqen më shumë, çfarë e eksiton më thjesht? Realiteti na tregon që femra e zbulon më vonë se mashkulli potencialin e tij seksual dhe çfarë i ndodh një dyzetvjeçareje kur fillon të dëgjojë trupin e saj që komunikon dëshirë seksuale? Nëse femra identifikon një mashkull shumë më të ri se veten si partner, si ecën lidhja?

Besarta Taci Psikologe Klinike, psikotraumatologe EMDR, Psikoseksologe

Besarta Taci
Psikologe Klinike, psikotraumatologe EMDR, Psikoseksologe

Edhe pse një herë e një kohë ishin të pamendueshme lidhjet ku femra ishte edhe më shumë se 10 vite më e madhe se mashkulli, sot në shoqërinë tonë, çdo ditë e më shumë vërejmë përreth nesh marrëdhënie të tilla. Sot vëmë re që djemtë zgjedhin partnere më të pjekura dhe, nga ana tjetër, femrat, përtej aventurave me të ashtuquajturit “toy-boy” fillojnë e hipotizojnë bashkëjetesa dhe martesa me më të rinjtë. Arsyet që afrojnë
një femër të pjekur me një mashkull më të ri mund të jenë të shumta, por ajo që vërehet është efekti ringjallërues që këto marrëdhënie prodhojnë në psikikën e femrës, duke e bërë të ndihet e re dhe e gjallë pas shumë kohësh. Zakonisht femra ndërmerr një lidhje me një mashkull më të ri pasi ka përjetuar më parë marrëdhënie të vështira ose pas një martese apo divorci që ka shkaktuar zhgënjim dhe ndjesi negative.

Lidhja e re jep mundësinë e një përjetimi ndryshe, sikur të ishte të marrësh frymë shumë lirshëm. Lidhja e re i mundëson femrës kontaktin me pjesë të brendësisë së saj që përpara i kishte anashkaluar apo humbur, duke ushqyer pjesën e lojës dhe spontanitetit, i cili është më i vështirë të lidhet me një mashkull të së njëjtës moshë,
sidomos kur janë kaluar të dyzetat. Një djalë i ri është më i predispozuar të fillojë një lidhje më me shumë entuziazëm dhe mendjelehtësi falë moshës së tij dhe përvojave ekzistenciale.

Kjo mundëson vitalitetin dhe romanticizmin që mund t’i mungojë femrës së pjekur me meshkuj më të mëdhenj. Ajo që ndonjëherë vështirëson lidhjet në moshën e pjekur,
janë situatat e post-divorcit, apo prania e fëmijëve. Kjo krijon frikën e vuajtjes dhe
mosbesimin në lidhje të reja. Por, ekzistojnë lidhje, ku ajo ka frikë të rritet dhe të ndërmarrë vendime si bashkëjetesa apo martesa. Zakonisht janë femra tek të tridhjetat, të cilat ndërmarrin lidhje me studentët, që janë disa vite  më të rinj. Kjo situatë i siguron asaj edhe disa vite përjetimi të adoleshencës. Ai, në këtë rast, ndihet i “pjekuri” i lidhjes. Pra, kjo lloj marrëdhënie është sikur të ishin mendërisht me moshë të përafërt, por jo anagrafikisht.

Por ka femra që shfaqin problematika narcizizmi. Edhe pse janë të pakta, ato kanë frikë të plaken dhe zgjedhin meshkujt e ri për t’ia treguar shoqërisë e për të shfaqur fuqinë e joshjes. Djemtë e rinj, të cilët preferojnë femrat më të pjekura në moshë, janë të joshur parimisht nga përvoja e jetës më e gjerë që ato kanë. Këta meshkuj janë më shumë të orientuar te vetërealizimi dhe dëshirojnë shumë më shumë autonominë nga familja. Për këtë arsye, një femër më e madhe, e pavarur,është tipologjia e lidhjes që i tërheq më shumë, edhe sepse jep më shumë siguri se sa një vajzë bashkëmoshatare.

Pra, për mashkullin, femra e pjekur është një miks: sigurie, pavarësie dhe eksperience.
Edhe pse te këto çifte aspekti i ndjenjave dhe i erosit funksionon në mënyrë optimale, sepse ajo tashmë di çfarë do dhe ai është në periudhën më të mirë biologjike për ta kënaqur atë (edhe më mirë se te çiftet e së njëjtës moshë) aspekti më i lëkundur është ai i projekteve, i cili jep mundësinë e kohëzgjatjes.

Problematikat më të shpeshta i përkasin mosaprovimit social, diferencat e fazave të ciklit të jetës (vendosja për të pasur fëmijë), “qarja” e rinisë për sa i përket mashkullit. Këto karakteristika bëhen më të qarta me kalimin e kohës. Statistikat tregojnë që këto lidhje zgjasin vite, por përfundojnë në ndarje, por ajo që nënvizohet është fakti
që gjatë lidhjes, intensiteti emotiv dhe ndjesitë pozitive i karakterizojnë këto çifte.
Arsyeja e ndarjes duket se i përket vetëdijes që mashkulli dëshiron në fund të përjetojë një marrëdhënie me bashkëmoshatare e të ketë fëmijë dhe familje. Nëse po përjetoni një lidhje të tillë, mundohuni t’i lejoni njëri-tjetrit momentet ku rrini me miqësitë e moshës suaj, dilni e dëfrehuni veçanërisht dhe, nga ana tjetër, mos u izoloni duke u bërë viktima të paragjykimeve sociale.Mundohuni t’i qartësoni njëri-tjetrit që në fillim çfarë doni në të ardhmen nga lidhja dhe mos harroni të komunikoni dëshirat tuaja.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top