Këshilla & Arsye

August 20, 2018 | 10:58

“Po vuaj… A duhet t’ia them dikujt?”

Gjatë jetës përballemi me vështirësi, të cilat zor se mund t’ua themi të tjerëve, përfshirë njerëzit më të afërt. Për këtë arsye, shpesh njerëzit kërkojnë ndihmë te specialistët e shëndetit mendor, sepse ata do t’i dëgjojnë dhe do t’i ndihmojnë në mënyrën e duhur. Megjithatë, para se të shkojnë tek një psikolog ose një psikoterapist, shumica e njerëzve ndiejnë se kanë nevojë t’i ndajnë gjërat më intime me miqtë e tyre.

Ky shkrim ndahet në dy pjesë: në pjesën e parë, jam përqendruar te njerëzit me probleme të shëndetit mendor dhe mënyra sesi mund të flasin me një mik rreth këtyre problemeve, ndërsa në pjesën e dytë, te përgjigja dhe ndihma që mundet të japë dikush për mikun ose miken e tij, që vuan nga një problem i shëndetit mendor.

“Po vuaj… A duhet t’ia them shokut?”

Shumë njerëz e kanë të vështirë të ndajnë me një mik një informacion kaq delikat rreth vetes së tyre, mirëpo studimet tregojnë se kjo duhet bërë, pasi është një nga mënyrat sesi mund të fillojë trajtimi i problemit. Nëse ju po përballeni me një problem të shëndetit mendor, mund të merrni parasysh disa nga këto hapa:

Së pari, pyesni veten: Kujt do t’ia them? Që ta keni sa më të lehtë, zgjidhni një mik të cilit i besoni shumë. Po ashtu, gjeni një mënyrë sesi të flisni për problemin që të mos jetë e sikletshme për ju. Praktikoni një mënyrë të caktuar të shprehuri, me fjalë të qarta dhe  të thjeshta.

Së dyti, mendoni: Kur është koha dhe ku është vendi i përshtatshëm? Për shembull, mund të zgjidhni të dilni një shëtitje pasdite dhe të bisedoni për problemin. Apo të qëndroni në një vend të qetë ku nuk ka shumë njerëz rrotull. Sido që të jetë zgjedhja juaj, kini parasysh se mënyra më e mirë për t’ia thënë është ballë për ballë dhe jo nga telefoni.

Së treti, përgatituni për reagimin e mikut ose mikes suaj. Disa njerëz reagojnë në mënyrë dramatike ndaj lajmit se miku/ mikja e tyre ka një problem të shëndetit mendor. Ndaj, bëhuni gati për “më të keqen”: ai ose ajo mund të tronditet ose të mos e marrë seriozisht atë që do t’i thoni. Edhe pse problemet e shëndetit mendor janë të zakonshme, kjo mund të jetë hera e parë që ai flet me dikë kaq të afërt që e ka një problem të tillë. Ndaj, mund të mos dijë si të përgjigjet. Ai mund t’ju sugjerojë se “jeni mirë” dhe se “gjithçka do të kalojë”, pasi mund të jetë i shqetësuar për ju.

“Shoku im po vuan… çfarë të bëj?”

Nëse keni miqësi me një person që ju tregon se ka një problem të shëndetit mendor, ju mund të tronditeni ose të shqetësoheni. Pyetja e parë që do t’ju vijë ndërmend është: “Çfarë mund të bëj për të?” Mendoj se gjëja më e rëndësishme është t’i tregoni atij që ju jeni miq. Nëse miku juaj nuk e ka problem prekjen, mund ta qetësoni duke e prekur ose përqafuar. Kjo është një mënyrë për t’i treguar se po kujdeseni për të dhe se po e pranoni, pavarësisht problemeve që ai apo ajo ka.

Nëse ndiheni në siklet sesi mund ta pyesni ose për çfarë mund ta pyesni, mund t’ua japë ai përgjigjen. A është rehat miku juaj të bisedojë për problemin apo dëshiron të flasë për diçka tjetër? Në këto raste, mundet që t’i premtojmë gjëra që nuk arrijmë t’i bëjmë dot. Prandaj, e mira është që të mos premtoni gjëra të cilat nuk mund t’ia jepni, por përpiquni të gjeni mënyra sesi ta ndihmoni më mirë.

Njerëzit me probleme të shëndetit mendor kanë nevojë për gjëra të ndryshme nga miqtë e tyre, në momente të ndryshme të jetës. Prandaj, edhe mënyrat e dhënies së ndihmës janë të ndryshme. Disa mundet të kenë nevojë për një telefonatë të gjatë, sa herë kanë nevojë. Disa të tjerë për ndihmë më konkrete. Shumë njerëz kanë nevojë që miqtë e tye që t’u menaxhojnë financat, t’i shoqërojnë nëpër takime ose thjesht t’i nxjerrin jashtë shtëpisë. 

Ndihma praktike mund të jetë me vlerë: që nga punët e shtëpisë deri tek bërja e pazareve. Të gjitha këto mund t’i duken të pamundura ose të vështira dikujt që po kalon një moment të vështirë. Një tjetër mënyrë informimi është përmes kërkimit të informacioneve, për shembull, për psikologë, për organizata apo shërbime këshillimi. Në thelb, ajo që duhet të bëjë një mik i mirë, është të jetë aty dhe të dëgjojë dhe më pas të vlerësojë se çfarë lloj ndihme mund të ofrojë.

Shpesh, shumë probleme të shëndetit mendor keqkuptohen dhe kjo bën që njerëzit me këto probleme, të trajtohen ndryshe. Mirëpo, gjëja më e rëndësishme për ta, është që ata të dinë se është dikush që e pranon problemin e tyre dhe që e trajton atë si një njeri që ka nevojë për ndihmë dhe mbështetje.

 

Marrë nga faqja e psikologes Lediona Braho

https://ledionabraho.wordpress.com/2018/08/20/po-vuaj-a-duhet-tia-them-dikujt/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top