Mirëqenie

October 20, 2017 | 11:03

Poetja Flutur Mustafa përmes “Na dy”: Ta shkruash me fjalë lirinë

Nga Orjona Tresa

“Na dy” është një tërheqje empirike, një raport i pazëvendësueshëm që bën bashkë autoren me lexuesit. Ky është botimi i dytë me poezi për autoren e re nga Ulqini, Flutur Mustafa, i cili vjen edhe për lexuesit e Shqipërisë nga shtëpia botuese BUZUKU. Botimi do të prezantohet në Panairin e Librit në Tiranë gjatë muajit nëntor.

Poezia është gjinia ku ajo shpalos ndjenjat, emocionet, ngjarjet, lirinë, të cilën të shkruar me fjalë, e bën edhe më lehtë të realizueshme. Flutur Mustafa vjen në një rrëfim enkas për lexuesit e revistës “Psikologjia”, ku krahas studimeve në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, ajo shpalos ndër të tjera dhe lidhjen e saj të ngushtë me botën artistike, teatrin dhe kinemanë.

flutur

Sa e vështirë është të shkruash poezi?

Varet nga momenti. Kur shkruaj për qejf, dhe kur kam inspirim, është gjëja më e lehtë në botë, sepse vjen shumë natyrshëm. Duke qenë se shkruaj dhe tekste, kur e ke një deadline për të përfunduar një tekst apo dedikim për dikë, ndodh që edhe bllokohesh, dhe bëhet më i vështirë gjithë procesi.

Si vjen ajo tek ju, ku e gjeni frymëzimin?

Frymëzimi buron nga shpirti dhe si i tillë nganjëherë është i pakontrollueshëm. Më frymëzojnë ngjarjet që i kanë ndodhur dikujt, por më së shumti mundohem që atë që kam përjetuar vetë t’ia shpalos lexuesit përmes vargjeve.

Shpirtërorja është ajo që flet përmes fjalëve. Si ju bën të ndiheni ky çlirim?

Është një ndër ndjenjat më të bukura në botë. Përmes shkrimit, shpirti përjeton lirinë, që ndonjëherë nuk e ka në suazat e normales. Nëse atë liri mund ta shkruash me fjalë, atëherë është më lehtë realizueshme.

libriSa vite keni që shkruani dhe i sati është botimi në këtë gjini?

Shkruaj që fëmijë, ndoshta nga mosha 9 apo 10-vjeçare. Për të botuar kam filluar shumë vonë me librin tim të parë, “Përtej Lajthitjes” kurse “Na dy” është botimi i dytë me poezi.

Më citoni vargun që e ndani më shpesh me veten?

“Nuk asht e thanun me t’dashtë dikush, sa asht e thanun me ia kuptu botën dikujt që e don”.

Keni ju një idhull në fushën e poezisë, vendas ose jo?

Një është pak të thuhet. Dritëro Agolli, Lasgush Poradeci, Ali Podrimja janë vetëm disa emra të kolosëve të poezisë.

Flutur, me këtë cikël poetik jeni renditur e dyta për nga vlerësimi në numeracion shitjesh në panair. Çfarë mendoni se e ka bërë për vete lexuesit të shfletojë vargjet tuaja?

Si qenie njerëzore jemi kuriozë. Mbase kurioziteti, mosha ime, por edhe vetë titulli i librit. Mbase edhe fakti që kam qenë debutuese në Panairin e Prishtinës si një autore nga Mali I Zi.

Paskëtaj, si e shikoni famën përmes librit? Ju nxit apo…?

Famë është tepër të thuhet, sepse asnjëherë nuk kam pasur për qëllim që ta komercializoj atë çfarë unë bëj. Po besoj se do i humbiste ndjenja dhe emocioni nëse përmes shkrimit do synoja famën. Thjesht, kam dëshirë që lexuesit t’i konsideroj miq dhe të krijoj një raport të afërt me ta.

uuuPërveç poezisë mësova se merreni me art. Çfarë ju tërheq kaq shumë pas kësaj bote të madhe?

Gjithmonë më ka tërhequr skena dhe çdo gjë që ka të bëjë direkt apo indirekt me të. Teatri, filmi, televizioni, i kam provuar të gjitha, mirëpo teatri është diçka që me të vërtetë më intrigon dhe më tërheq pas poezisë.

Cilat janë ambiciet e tua në vazhdim?

Janë të shumta, duke qenë se si natyrë jam shumë ambicioze. Një ndër to është edhe paraqitja sa më e mirë në Panairin e Librit në Tiranë. Pastaj në planin afatgjatë, të vazhdoj të rritem si shkrimtare, duke ruajtur modestinë dhe thjeshtësinë. Njëherësh është edhe një sfidë. Për momentin jam duke punuar që “Na dy” të përkthehet në gjuhën angleze dhe atë malazeze. Kjo është diçka edhe më sfiduese.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top