Prej pak kohësh jam e lidhur me një burrë i cili ashtu si dhe unë është i martuar. E duam shumë njëri-tjetrin por asnjëri prej nesh nuk dëshiron të ndajë familjen. Lidhja jonë është vetëm një takim për t’u larguar nga detyrat familjare dhe megjithatë ai nuk ka guximin të hedhë një hap më tutje. Takohemi për darka apo për të pirë kafe por marrëdhënia jonë nuk shkon më larg se kaq, pra në intimitet. Më ndihmoni si të veproj?
Është ndër herët e para që marr një letër si kjo e juaja dhe jam e kënaqur pasi mendoj se ka shumë njerëz si ju që gjenden në të këtilla dilemash, e kështu mund të shikojnë veten e tyre më mirë nëpërmjet dëshmisë suaj dhe kërkesës për ndihmë.
Nuk është e lehtë të ndërmarrësh një vendim në një situatë intruzive, ambivalente si kjo e juaja, ku ndjenjat janë të forta dhe të rëndësishme në të dyja drejtimet, si ndaj familjes ashtu edhe ndaj personit tjetër. Kjo ndjenjë intensive ndikon ditën tuaj tërthorazi, mbi të gjitha në performancën tuaj pranë familjes, andaj është e udhës të ndërmerret një vendim ndoshta pse jo, dhe më i vështirë. Në situatën tuaj nuk është finalizimi në marrëdhënie intime ose jo, pasi kjo dilemë mund të mbërrijë në një zgjidhje të shpejtë, afatshkurtër, sepse mandej do të kërkoni të kryeni hapin tjetër, e më pas do t’ju duhet të menaxhoni edhe këto emocione të reja, në rritje.
Hapi më i mirë në këto raste, është që ju të mund të fokusoheni tek marrëdhënia familjare fillimisht. Të përqendroheni tek lidhja që keni me bashkëshortin tuaj. Të reflektoni mbi vështirësitë, dilemat dhe sfidat që keni me njëri-tjetrin, ose edhe ato që nuk i keni. Të mund t’i kushtoni kohë këtij reflektimi pasi kështu respektoni gjithnjë e më shumë vetveten tuaj në radhë të parë, për të cilën do të duhet ta keni në formë, në të gjitha rastet.
Është shumë e rëndësishme të komunikoni haptazi me veten për mendimet dhe ndjenjat në raport me bashkëshortin tuaj, e më pas të komunikoni me të, sërish haptazi. Të identifikoni bashkërisht problematikat tuaja. KUJDES! Është shumë e rëndësishme që ju të jeni të drejtë në gjykim, me prirje për të dhënë mundësinë e zgjidhjes së situatës suaj me bashkëshortin dhe jo me intruzivitetin apo tundimin për të kërkuar një marrëdhënie të re, të paktën jo përpara se të zgjidhni këtë dilemë. Kjo do t’ju ndihmojë të jeni e drejtë e në paqe me veten dhe personat e dashur, përpara se të ndërmerrni vendimet e ardhshme, të cilat mund të reflektojnë një marrëdhënie të shëndetshme.
Më pas, vlen shumë të reflektoni mbi raportin e ri. Vendosni në balancë të gjitha nevojat tuaja, por edhe mundësitë reale për realizimin e tyre në përputhje me kërkesat dhe parimet personale. Bëjini disa pyetje të rëndësishme vetes: Çfarë kërkoni nga kjo marrëdhënie e re? Një raport të përkohshëm intim apo një lidhje më të qëndrueshme, pse jo edhe të përhershme? Mënyra se si e shikoni marrëdhënien e re, është shumë e rëndësishme për të ndërmarrë një angazhim. Pyesni më pas veten, a është marrëdhënia juaj me personin e ri në përputhje me realitetin? Nga ndjenja të kësaj natyre shpesh ndërmarrim veprime të mëdha për lidhje të përkohshme, jetëgjatësia e së cilës përshtatet dukshëm me mundësitë reale të partnerëve, me kontekstin në të cilën gjenden. Më vjen keq ta them por, në të shumtën e rasteve, marrëdhënie si këto nuk përfundojnë thuajse asnjëherë mirë.
Nuk më mbetet që tjetër vetëm t’ju them: Reflektoni me respekt ndaj vetes suaj, që është pjesë më e rëndësishme në këtë histori.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.