Kam një vajzë 15 vjeçe, e kam shumë të edukuar e të sjellshme, nuk më kundërshton kurrë, por ka disa muaj që rri pak më shumë në telefon se herët e tjera. E pyes çfarë ka telefoni që të tërheq kaq shumë? Më thotë unë flas me një djalë që prej 6 muajve .U ndjeva shumë keq, pasi më parë kemi folur dhe i kam thënë: përparësi për ty duhet të jenë mësimet pasi do kesh kohë për të dashur. Do doja një mendim nga ju psikologe pasi ndjehem shumë keq dhe nuk di si të sillem me vajzën.
Kjo është një situatë që shumë prindër mund ta gjejnë veten, duke qenë se edhe teknologjia po gjen përdorim çdo ditë e më tepër. Është shumë e rëndësishme që prindërit të kenë njohuri mbi mënyrën sesi adoleshentët e tyre po komunikojnë, edhe pse duket që fëmijët e tyre janë gjithmonë një hap më përpara me teknologjitë dhe platformat e reja. Ajo çfarë ju duhet tani është transparenca rreth aktiviteteve të vajzës tuaj. Ju duhet të bëni një bisedë rreth (të paktën) 3 gjërave, të cilat çdo prind i sheh si të sikletshme dhe të vështira për t’i diskutuar. Dhe këto janë:
- Facebook-u dhe rrjetet e tjera sociale, siguria e internetit dhe seksi.
Unë do ju sugjeroja ta fillonit bisedën duke qenë edhe ju shumë transparente, rreth asaj që ka ndodhur (ndryshimit në qëndrime/sjellje të vajzës) dhe bisedës së saj për rreth 6 muaj me një person të panjohur (për ju). E kuptoj shumë mirë sikletin e kësaj bisede. Kjo është diçka që asnjëra nga ju nuk ndihet qetë për ta biseduar, por do e shikoni që të dyja do të keni nevojë të flisni për këtë. Sado e vështirë që mund të jetë, duhet që ju të tregoheni e hapur, por edhe të shprehni shqetësimin tuaj si nënë. Nuk duhet të jeni e zemëruar dhe ta bëni fajtore për këtë, apo dhe më keq, të jeni e shokuar dhe e tmerruar. Ju sugjeroj të bëni kujdes dhe të mos e filloni këtë bisedë, duke i radhitur një tufë kufizimesh dhe detyrash (mbaro shkollën se ke kohë për të dashur, përparësi kanë mësimet etj ). Nuk do të jeni në gjendje të keni një bisedë të vërtetë në qoftë se ju e bëni këtë, dhe fëmijët do të jenë më të prirur për të “arritur fundin” në lidhje me këto rregulla në qoftë se ata mendojnë se ju nuk i kuptoni ato. Përpiquni ta shikoni vajzën tuaj si një individ që ka ndjenja dhe mendime personale, përveç detyrimeve shkollore apo familjare. Në këto momente ajo nuk ka nevojë të dëgjojë kufizime e rregulla pa fund, por të kuptojë që ju jeni pranë saj dhe e kuptoni edhe në raste të tilla. Emocionet dhe ndjenjat nuk janë diçka që mund t’i mbash nën kontroll, apo të bësh llogari kur duhet t’i kesh dhe kur jo. Duhet të pyesni vajzën tuaj për të kuptuar mendimet e saj më parë, – “A mund të më thuash çfarë po ndodh me ty?” – dhe më pas t’i komunikoni çfarë është ajo që po ju shqetëson ju. Duhet t’i lini asaj të kuptojë se, nëse diçka e bën atë të ndihet në siklet apo e parehatshme, ajo gjithmonë mund të vijë tek ju. Ju nuk do të jeni e zemëruar dhe do të jeni aty për të. Por ju gjithashtu mund t’i bëni të ditur vajzës tuaj se cilat janë pritshmëritë dhe rregullat tuaja…
Çdo familje ka vlerat dhe udhëzimet e veta, kështu që unë nuk mund t’ju them se çfarë t’i thoni vajzës tuaj, por ju mund ta bëni vajzën tuaj të kuptojë se standardet tuaja për sjelljen dhe gjuhën janë të njëjta si kur është online, në shkollë ose jashtë me miqtë. Në aspektin e sigurisë së internetit, një rregull : “mos flit me të panjohur” është e rëndësishme, duke i bërë të ditur se ajo nuk duhet të postojë asgjë që mund ta mërziste n.q.s e shikon të shpërndarë gjithkund më pas. As miqësitë apo aplikacionet për privatësi nuk e përjashtojnë dot dikë që mund të mos i dojë të mirën dhe t’ia bëjë jetën të mjerueshme. Ju duhet të diskutoni me vajzën se çfarë lloj qasjesh dhe bisedash në llogaritë e saj sociale ju mendoni se janë të papërshtatshme, (duke përfshirë edhe bisedën e vajzës me këtë djalë për 6 muaj, a njihen në realitet apo është vetëm bisedë online?). Dhe kjo është një mundësi e rëndësishme për të kuptuar se çfarë ajo është duke menduar për seksin, nëse ajo është seksualisht aktive ose jo, dhe për t’i shprehur edhe pritshmëritë tuaja në këtë pikë diskutimi. Të ndash vlerat e tua në lidhje me seksin dhe lidhjet, mund t’i japin vajzës tuaj mbështetjen e nevojshme për të marrë vendime të mira. Duke i bërë asaj të ditur se jeni sinqerisht komforte (e rehatshme) për të biseduar për seksin, kjo do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme n.q.s në të ardhmen ajo mund ta gjejë veten në një situatë të tillë që nuk do të dijë si ta menaxhojë.
Në fund ju mund të jeni në gjendje t’i thoni se: jeni e lumtur që kjo gjë ka ndodhur tani, për shkak se ju e kishit të nevojshme që të bënit një bisedë në lidhje me këto gjëra, dhe është e rëndësishme për ty të jesh në dijeni se çfarë po ndodh në jetën e saj.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.