Posta

February 3, 2017 | 6:45

POSTA / Jam në udhëkryq

Përshëndetje. Jam nënë e një fëmije 18-muajsh. Që kur ka lindur im bir, vura re se gjërat mes meje dhe burrit kanë ndryshuar për keq. Një kohë ishim të afërt, sot ndiej që jetojmë vetëm për detyrimet që na takojnë. Dinim se pas lindjes së djalit, gjërat do të ndryshonin, por unë nuk mendoja në këtë pikë sa ne të ndryshonim kështu. Është e vështirë të ulesh vetëm në tryezë, të dalësh me miqtë dhe, mbi të gjitha, të flesh një natë të tërë. Gjatë lindjes ai më qëndronte shumë pranë, tregonte shumë përkujdesje, ndërsa tani duket se sforcimet i bën vetëm ai, nuk vë re që edhe unë punoj, por me dallim nga ai duhet edhe të gatuaj, të laj pjatat, të hekuros të shtunë dhe të diel. Edhe intimisht gjërat kanë ndryshuar për keq. Pasioni është shuar. A mund të më këshilloni një rrugëdalje?

 

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Përgjigje: Ndodh që marrëdhënia dhe seksualiteti të mund të ndryshojnë për një periudhë, post situatës së ardhjes së një fëmije. Nuk janë të rralla rastet që hasen mes çifteve. Vëmendja juaj është e përqendruar te fëmija. Misioni i një nëne është përmbushur duke sjellë në jetë “krijimin” e saj dhe psikologjikisht ju keni arritur të kënaqni ndjenjat e dashurisë. Në këtë situatë mashkulli është më i turbulluar, pasi mendon se vëmendja i është larguar. Në fakt, është një situatë e cila kërkon ndërgjegjësim dhe angazhim për të përmirësuar marrëdhënien. Ju duhet të ndërmerrni iniciativën që të komunikoni me bashkëshortin tuaj, t’i tregoni sesi ndiheni dhe të gjeni mendimet dhe ndjenjat e përbashkëta në këtë situatë, jo duke fajësuar njëri-tjetrin, por me synimin për t’u kuptuar mes jush, për të arritur qëllimin e përbashkët: përmirësimin e marrëdhënies. Ju duhet të vlerësoni një ditë të zakonshme dhe, nëse përqindja më e madhe e kohës shkon te fëmija apo te puna e bashkëshortit, apo të dyja, të mund të organizoni kohën për të krijuar mundësi që të bashkoheni me njëri-tjetrin në situata të ndryshme që kënaqin lidhjen tuaj: një darkë në javë, një vajtje në kinema, një shëtitje të dy bashkë gjatë ditës, në fundjavë, kafen e mëngjesit të dy bashkë. Këtu do të duhet të kërkoni ndihmën e të tretëve, të cilët do të duhet të mbajnë djalin tuaj për pak orë në ditë. Kjo është mjaft e shëndetshme si për ju, ashtu edhe për djalin tuaj. Mos merrni angazhime të cilave nuk u përmbaheni dot, ndërmerrni hapa të vegjël, por domethënës për të dy fillimisht dhe, më pas, prisni që t’i zhvilloni ato gradualisht, në sasi dhe cilësi.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top