Posta

May 29, 2017 | 11:17

POSTA / Marrëdhënia me familjarët, vjehrrën, po më lodh!

Letër për psikologen

2

Foto ilustruese

Përshëndetje. Jam 28 vjeçe dhe e martuar. Kam dy fëmijë 2 vjeç edhe 2 muajsh. Jetoj në shtëpi me prindërit e burrit. Gjate shtatzënisë së dytë kisha ankth, dhe më dukej sikur do vdisja në lindje, do lija djalin jetim. E përjetova shumë keq shtatzëninë e dytë nga kjo gjendje ankthi. Nuk më interesonte bebi që kisha në bark kaq shumë, sa djali që kisha aty. Kur linda dhe erdha në shtëpi,   djali bëhej xheloz. Vjehrra e mori djalin te dhoma e saj për të fjetur. E mban gjithë ditën edhe kur ai qan, se do mamin e merr me zor. Edhe pse u them që dua të kaloj kohë me djalin, se djalit po i shkaktohen probleme psikologjike, nuk dëgjojnë. E mbajnë djalin me zor, edhe pse ai qan me të madhe: mami, mami. Mua vetëm me qahet. Ndihem keq edhe e pafuqishme për të bërë diçka. Neve jetojmë në fshat. Vjehrra e merr djalin e çon gati përditë te lodrat në qytetin afër (5 minuta me makinë). I çon edhe i merr burri. Unë nuk dal, e nxjerr bebin vetëm në ballkon për diell. Ndihem shumë keq. Nuk kaloj kohë me djalin tim, ndihem si e burgosur që nuk kam asnjë liri veprimi. Nuk më lejohet të dal as deri te dyqani i fshatit. Nëse dua diçka, duhet t’u them në telefon burrit, vjehrrës ose vjehrrit të ma sjelli. Më duket sikur po më ikën jeta kot, e pa kuptim. Ndonjëherë më vjen të vras veten, por pastaj them, ku do lë fëmijët. Ndihem shumë e lodhur, më vjen të marr fëmijët edhe të iki. Burri më thotë se ankohem kot, sepse del çdo të diel. Unë ndihem sikur muret e shtëpisë më mbysin. Nuk më hahet bukë fare, mund të rri edhe dy ditë pa ngrënë, qaj përditë. Burri më thotë: atë punë ke ti, vetëm qan. Ndonjëherë ndihem sikur bebin nuk e dua. Jam shumë e lodhur. Vetëm qaj dhe rri natë-ditë me atë në krah. Ndrëkohë  që djali po largohet nga unë. Burri nuk më lë të takoj një psikologe. E kanë problem në Shqipëri të pranojnë që ke nevojë për psikolog. Ka momente që i urrej të gjithë, që nuk dua të dëgjoj asnjë zë ose të shikoj ndonjë fytyrë. Ka edhe momente që jam më e qetë edhe mund të bëj pak muhabet. Nervat nuk më mbajnë më fare edhe mund të kem muaj pa qeshur. Atëherë flisja shumë me bashkëshortin, komunikoja, tani as nuk më bëhet të flas. Ai ndonjëherë mundohet të më bëj qejfin, por pa rezultat. Të dy fëmijët nuk i marr dot, por dua të marr djalin edhe të arratisem. Të iki pa lënë adresë. Burri thotë që unë as të kam dhunuar ndonjëherë, as nuk luaj bixhoz, as nuk kam vese, pse sillesh kështu me thotë. Nuk e di as vetë, nuk e kontrolloj dot këtë gjendje. Dua të mbyll dyer dhe dritare, të jetë errësirë edhe të fle gjumë pa ndalim. Nuk kam më ëndrra, as dëshira. Kam ndërruar 100% si tip. Ju lutem më thoni çfarë duhet të bej? Jam çmendur gjë?

Adelina Pjetra Psikolge Klinike & Terapiste EMDR (Niv.1) Koordinatore shkencore, EMDR-Albania

Adelina Pjetra
Psikolge Klinike & Terapiste EMDR (Niv.1)
Koordinatore shkencore, EMDR-Albania

Përgjigje: E dashur nënë. Ju vetë në këtë shkrim keni thënë: Kam ndërruar 100% si tip. Pra, le të reflektojmë pak mbi këtë. Ju thoni që e gjithë kjo filloi gjatë shtatzënisë me djalin e dytë, ku ju ndiheshit në ankth gjatë gjithë kohës, dhe mendonit shumë negativisht për veten. Që në këtë periudhë ju shfaqni disa problematika, që do ishte e nevojshme një ndërhyrje e specializuar. Fakti që familja juaj nuk ju ofron mbështetjen e duhur ose ndoshta nuk dinë si ta bëjnë këtë, jua bën edhe më të vështirë kapërcimin e gjithë kësaj gjendjeje. Mendimet që keni tani duken konfuze dhe kontradiktore. Pasi ju vetë nuk jeni e qartë me atë çfarë dëshironi dhe çfarë jo. Mënyra si po sillen familjarët duket më shumë si një mënyrë për të mbrojtur apo për të të mbajtur nën kontroll (nga frika që kanë për gjendjen tënde) sipas njohurive që kanë dhe mënyrës së tyre. Me çfarë po kuptoj, ti nuk ndihesh e kuptuar mbi gjendjen tënde, dhe kjo të sjell një izolim të mëtejshëm. Jam në dijeni që shumë shqiptarë e kanë të vështirë të konsultohen me një psikolog, dhe më vjen keq për këtë, pasi shumë vuajtje, ashtu si kjo e juaja në këto momente do të shëroheshin dhe do të funksiononit më mirë në përditshmërinë tuaj duke ju gëzuar fëmijëve dhe familjarëve të tjerë.

Si mund të ndryshohet e gjithë kjo?

Sigurisht, do ju sugjeroja një konsultë me një specialist të shëndetit mendor, por duke supozuar që këtë do ta keni të vështirë ta realizoni, mund të konsultoheni me një mjeke (konsultorja e zonës), e cila besoj do ju ndihmojë dhe orientojë disi. Këto takime duhet të realizohen së bashku me bashkëshortin tuaj, në mënyrë që ai të arrijë të kuptojë që ju keni nevojë për ndihmë jo vetëm në ambientin familjar, por edhe nga një profesionist. Letrat që më drejtohen me një kërkesë për të sugjeruar një zgjidhje të mundshme për situatën në të cilën ndodhet një individ i caktuar, më vendosin në një rol i cili nuk më takon. Unë nuk e njoh historinë tuaj, as situatën fillestare që ju futi në një gjendje të tillë. Sigurisht në terapi mund të punohet mbi të gjitha këto, duke punuar së bashku mbi çdo simptomë, ndjesi, mendim negativ, në mënyrë që ju të fuqizoheni dhe të shikoni zgjedhjet e jetës tuaj më qartë dhe më shëndetshëm.

middle aged mother feeling helpless when caught in between young couple's fight

Foto ilustruese

Personalisht do ju sugjeroja që të fokusoheshit tek vetja juaj, të arrini të përmirësoni gjendjen tuaj shpirtërore dhe të menduarit, që më pas të mundeni ti shërbeni fëmijëve tuaj me shumë dashuri. Shpresoj që kjo situatë të kalojë sa më shpejt.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top