Prej dy muajsh nuk jam mirë. Më zihet fryma dhe kam rrahje të shpejta të zemrës dhe ndonjëherë më duket sikur po vdes. Jam në haall nuk di ku të shkoj. Analizat më dalin mirë, çfarë të bëj ju lutem!
Faleminderit që më jeni drejtuar për këtë problem që ju po kaloni. Nga ajo çfarë ju më keni shkruar duket sikur ju keni probleme me çrregullimet e ankthit, të cilat për t’u specifikuar se në cilën kategori apo ndarje të ankthit jeni, duhen më tepër detaje dhe për këtë do ju sugjeroja të bënit një konsultë dhe një vlerësim psikologjik. Më poshtë do mundohem t’ju sqaroj diçka mbi ankthin, që ju të krijoni një ide për gjendjen tuaj dhe çfarë po ndodh me ju. Ankthi është një emocion i fuqishëm, që e përjeton çdo njeri që nga momenti që lind. Ky emocion i shërben individit si një mekanizëm mbrojtës dhe është i vlefshëm në rastet e një rreziku. Në rastet kur ky emocion rritet më tepër se ç’duhet dhe nuk arrihet të menaxhohet dot, fillon të jetë një problem për personin. Me ankthin mund të jenë të lidhura edhe çrregullime të ndryshme si: depresioni, ataku i panikut, çrregullimet fobiko-obsesive, fobia sociale, fobia specifike, çrregullimi obsesiv – kompulsiv, çrregullimi post–traumatik nga stresi etj. Ankthi në vetvete nuk është një sëmundje, por është shenjë e një shqetësimi, shpesh e një shqetesimi të thellë dhe të panjohur nga personi ankthioz. Në rastet kur krizat e ankthit janë shumë intensive, të tipit të një terrori i cili zgjat për disa minuta (10 – 30 min), gjatë të cilave personi ndjen shtrëngim në kraharor, rrahje të forta zemre, djersitje, marrje fryme, dridhje, mungesë oksigjeni, marrje mendsh, ndjesinë se po i bie të fikët, ndjesinë e mpirjes dhe të “mizave” në krahë, frikën se po humbet kontrollin, frikë se po çmendet, prania e këtyre simptomave njihen si çrregullimi i atakut të panikut. Këto kriza janë të paparashikueshme dhe mund të ndodhin edhe pa ndonjë shkak apo ngacmim të momentit. Ataku i parë e bën çdo person t’i drejtohet mjekut me urgjencë, ndërsa nga frika e krizave të tjera që mund të ndodhin e bëjnë më të kufizuar aq sa nuk dëshiron të dalë më nga shtëpia vetëm. Nëpërmjet terapisë konjitive-sjellore, CBT, por edhe Emdr dhe terapive të tjera të njohura mund të arrini një trajtim shumë të mirë dhe të superoni gjendjen tuaj. Sugjerimi im për ju zonjë është: të kontaktoni një psikolog/terapist dhe të zhvilloni një konsultë. Mund të kuptoni edhe më tepër për veten dhe për shqetësimin tuaj.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.