Posta

March 29, 2019 | 8:37

Posta nga Adelina Pjetra: Mendoj gjatë gjithë kohës se mos i ndodh diçka e keqe familjes time ose mua

Përshëndetje. U bë disa kohë që mendoj se do t’u ndodhin gjëra të këqija familjarëve të mi ose mua. Nuk e shpreh dot, e vuaj vetëm, dhe më është kthyer në fiksim. Vazhdimisht mendoj se në moment do të më ndodhë diçka, e keqe. Nuk kam qenë kështu. Në fillim kam qenë ajo që kam dhënë, edhe jap shumë optimizëm tek të tjerët. Bëj shumë humor. Njerëzit që më njohin nuk do e besonin gjendjen time, por aktualisht kam shumë frikë.

Frika më është forcuar më shumë pas abortit që kalova para 3 javësh. Nuk e kam gjithmonë këtë gjendje. Por nëse dëgjoj një histori jo të bukur, ose ngjarje të dhimbshme apo vdekje, aty më rri mendja. Më shumë më ndodh natën para se të fle. Ndodh që dëgjoj një lajm të keq që i ka ndodhur dikujt, e mendoj se do më ndodhë edhe mua. Ose ndoshta fakti që humba bebin, më duket sikur jam sëmurë e s’më zë gjumi. Jam bërë shumë nevrike. Por duke qenë tip që s’e nxjerr diku, e vuaj vetë. Mundohem t’i harroj gjërat e këqija, mendoj sikur s’më ka ndodhur dhe ndoshta fakti që akumulohen ndikon.  Jam munduar që çdo situatë ta menaxhoj vetë. Nuk e ndaj me shumë njerëz. Dua të dukem e fortë, duke u justifikuar që s’dua t’i mërzis të tjerët apo t’i stresoj. Çfarë po më ndodh?

Adelina Pjetra, Psikologe Klinike & Terapiste EMDR

Adelina Pjetra, Psikologe Klinike & Terapiste EMDR

Të gjithë ndonjëherë jemi të shqetësuar se diçka e keqe do të na ndodhë. Dhe realiteti është se, ndonjëherë gjërat VËRTETË shkojnë keq. Jeta nuk është e përsosur.

Por nëse koka juaj gjithmonë do të jetë e mbushur me mendime shqetësuese, dhe nëse shpenzoni shumicën e ditëve (ose gjatë gjithë ditëve), e stresuar se diçka e keqe do t’ju ndodhë, juve apo njerëzve tuaj të dashur, apo botës, shikoni si më poshtë se çfarë ndodh:

Probleme me gjumin

E fillojmë me gjërat bazike. Nëse keni probleme me gjumin, mund të filloni të keni paranojë dhe ankth, thjesht sepse truri juaj është i rraskapitur dhe nuk mund të përballojë. Nëse nuk merrni ndihmë me problemet e gjumit, kjo mund të çojë në depresion.

Stresi

Truri nuk duket se ka evoluar aq shpejt sa shoqëria. Ai mund të reagojë ndaj stresit të jetës njësoj siç do të ishte po të sulmoheshit nga një tigër. Kjo shkakton gjendjen ‘lufto ose fluturo’. Rritja e kortizolit dhe hormoneve të tjera që ajo krijon, na vë në gjendje alarmi, duke skanuar për një rrezik të mëtejshëm.

Shtrembërimet njohëse

‘Shtrembërimet njohëse’ janë kur, pa e kuptuar, mendja juaj zvarrit realitetin. Disa shembuj janë të menduarit bardh e zi, mendimet e zymta dhe të errëta, dhe tregimet mbi fatin. Pse ta shohësh shtrembër botën? Sepse mundet të jeni rritur nga prindër që modeluan këtë mënyrë të të menduarit tek ju. Ose, diçka ka ndodhur me ju në fëmijëri, që ka ngacmuar trurin tuaj të veprojë në këtë mënyrë (shih traumën e fëmijërisë, më poshtë).

Ankthi përfshin mendime të vrullshme joreale dhe të pakontrollueshme që na prekin fizikisht, duke na lënë pa frymë, na jep djersitje dhe një zemër që rreh shpejt. Si përfundon të vuash nga ankthi? Mund të fillojë si stres. Me kalimin e kohës dhe duke e lënë të pakontrolluar, stresi mund të shndërrohet në ankth ose çrregullim ankthi. Ankthi gjithashtu mund të nxitet nga trauma. Kjo mund të ndodhë nga një ngjarje e fundit, si një aksident apo humbje e një personi të dashur (foshnja juaj). Ose mund të vijë që nga fëmijëria.

Besime thelbësore negative

Nëse mund të thuash sinqerisht se e ke kaluar shumicën e jetës tënde si e rritur me një ndjenjë që do të ndodhë diçka e keqe, mund të kesh një besim thelbësor se bota nuk është e sigurtë. Besimet thelbësore janë supozime që i bëjmë për veten, për të tjerët dhe për botën që, gabojmë ta shohim si fakt. Zakonisht, e formuar që në fëmijëri, besimet thelbësore më pas fshehurazi i drejtojnë të gjitha zgjedhjet tona në jetë, kështu që ato janë të fuqishme. Traumat e fëmijërisë, ose të kesh një prind që ishte jo i besueshëm, në mënyrë të pashmangshme çon në formimin e besimit se bota është gjithmonë e rrezikshme.

Traumat e fëmijërisë

Me keqardhje e them se, shumë prej nesh kalojnë nëpër përvoja të vështira dhe kërcënuese në fëmijëri. Pa qasje në opsione të tjera, përveçse vuajtje nëpërmjet abuzimit, neglizhimit ose tragjedisë, truri ynë i fëmijërisë thjesht vendos që bota është e rrezikshme. Dhe nëse nuk kërkojmë ndihmë për traumën tonë të fëmijërisë, ne e mbajmë atë besim në moshë madhore, i cili kontrollon jetën tonë.

Çfarë mund të bëni nëse nuk mund ta ndaloni ndjenjën se diçka e keqe do të ndodhë?

Nëse e kaloni jetën në frikë se çfarë gjë e keqe mund të ndodhë më pas?

Ndiheni krejtësisht të paaftë për të ndaluar së menduari në këtë mënyrë?

Konsideroni mundësinë e të kërkuarit ndihmë dhe mbështetje profesionale. Një këshillues profesional, psikolog klinik ose psikoterapist mund t’ju ndihmojë të arrini në rrënjën e besimit tuaj thelbësor se bota është një vend i rrezikshëm. Ju do të mësoni mënyra të reja për ta përballuar atë, që do të thotë se do të arrini të ndiheni më komode me persona të tjerë përreth, gjithashtu edhe në jetën tuaj të përditshme. Të kërkoni ndihmë profesionale është dhurata më e vlefshme që mund t’i bëni vetes tuaj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top