Posta

February 23, 2018 | 7:55

POSTA nga Adelina Pjetra / Vjehrra po më nxin jetën, jap maksimumin në familje!

 

Kërkoj një mendim nga ju, sepse jam në stres shumë të madh. Jam e martuar që prej 5 vitesh. Me bashkëshortin jemi njohur në universitet. E kemi mbaruar të dy shkollën, por për momentin jemi pa punë, pas martesës me prindërit e tij në qytetin e tij në Fier. Ne shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin.

vjehrraProblemi ynë është vjehrra, ndërhyn në çdo gjë. Gjatë gjithë ditës nuk bën asnjë punë, vetëm ankohet. Unë jam një familjare e përkushtuar, pastroj, gatuaj, kujdesem për çdo gjë, madje me shumë lodhje se kam dhe djalin. Ajo nuk pëlqen asgjë që unë bëj. Burrit tim i thotë: S’është e aftë për asgjë; shiko si e ka bërë këtë; fëmijën nuk di ta mbajë! Është e pamundur që një ditë të mos bëhet debat në shtëpinë tonë. Situata ekonomike është një faktor që mund ta acarojë, por ju betohem që bëj vetëm shpenzime që i duhen fëmijës dhe shtëpisë. Ngaqë jemi pa punë, edhe për të dalë për kafe vemi (si familje) dy herë në muaj. Asnjëherë s’i pëlqen që ne të dy të dalim. Edhe kur kthehemi nga shëtitja pa shpenzuar asgjë, flet e shan nëpër shtëpi. Burri më thotë: Duro, e kuptoj që edhe ai është në stres nga kjo situatë, por jam e lodhur. Vërtet që s’po mundem ta duroj më, i kam respektuar në maksimum, po kur nuk je në punë, mesa shoh nuk vlen asgjë tjetër. Ndonjëherë mendoj të iki, por më vjen keq për burrin. Faleminderit!

Përgjigje:

Adelina Pjetra , Psikologe Klinike dhe Psikoterapiste EMDR

Adelina Pjetra , Psikologe Klinike dhe Psikoterapiste EMDR

Si mund të mendoni të ikni nga familja për shkak të vjehrrës? E duhura do ishte, që ju si familje e re të jetonit në një shtëpi më vete, dhe të merrnit përgjegjësitë për të përballuar jetën tuaj të re që keni formuar.

Nuk është hera e parë, por besoj s’do jetë as e fundit që bashkëjetesa me familjarë të tjerë sjell konflikte në familje. Por për sa kohë të dy ju jeni pa punë dhe po jetoni në shtëpinë e prindërve të burrit, do ishte më e drejtë të ruanit qetësinë dhe të mos vinit re çdo fjalë apo veprim të vjehrrës. Sepse, siç edhe ju vetë po e shikoni, nuk është se kjo ju ka qetësuar apo ju ka siguruar një zgjidhje.

Dhe po, pavarësia ekonomike luan një rol të rëndësishëm në këtë pikë. Për një moment mundohu ta shikosh gjithçka nga jashtë. Jeni martuar, keni dhe fëmijë, nuk punoni asnjëri dhe jetoni në shtëpinë e vjehërrisë, si mund të duket kjo në sytë e vjehrrës tënde? Si do dukej kjo në sytë e nënës tënde? (N.q.s do kishte të njëjtën situatë në shtëpinë e saj?). A mund të më thuash që ajo s’do bënte uf e puf gjithë ditën?

Do të sugjeroja të punoje me veten dhe bashkëshortin tënd, të krijonit pavarësi ekonomike dhe të arrinit të shkëputeshit nga familja biologjike e burrit. Dhe të merrni realisht përgjegjësitë tuaja si bashkëshortë dhe si prindër.

Është shumë e lehtë të drejtosh gjithmonë gishtin drejt tjetrit, por kur provon t’ia drejtosh vetes, oh sa të dhëmb. Por të shërben shumë. Në këtë përgjigje nuk po mbështes aspak vjehrrën, as sjelljet apo fjalët e saj. Por po mundohem të të sugjeroj. Fuqizo dhe respekto veten dhe familjen tënde të re, duke bërë atë që duhet dhe jo atë që është e leverdishme.

Shpresoj të më kesh kuptuar.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top