Jam 37 vjeçe dhe kam një vajzë, e cila sapo ka mbushur 1 vjeç. Kam edhe dëshirë, edhe frikë që të bëhemi me fëmijë të dytë… A mund të më ndihmoni duke më qartësuar se cilat janë të mirat dhe të këqijat e të qenit fëmijë i vetëm?
Përshëndetje,
Ndodh në të gjitha familjet kur natyrshëm vjen koha për të diskutuar mundësinë e një fëmije tjetër. Planifikimi familjar nuk është i lehtë dhe kërkon disa përgjigje mbi pyetjet: A do ta lëmë të vetëm fëmijën e parë? A do të ishte me risk një fëmijë i dytë për moshën që ju keni aktualisht? A do mund ta përballonit një fëmijë të dytë, ekonomikisht apo edhe në aspektin e kohës?…
Këto janë pyetje racionale dhe të natyrshme. Pyetjet tuaja gjithashtu duken të drejta. Unë do t’ju ftoja ta shikoni me objektivitet dhe të çliroheni nga kjo ambivalencë që ju ka pushtuar: Fëmijët janë shumë të rëndësishëm në jetën familjare, por shpesh ne shtyhemi të kemi një familje të madhe edhe nga stereotipat socialë që janë krijuar. Kur nuk kemi fëmijë, na thonë “Hë, kur do ta bësh bebin…”. Kur e bëjmë të parin, na thonë “Mos e lër vetëm…”, etj. Unë do thosha se të kesh një fëmijë, apo dy dhe më shumë, ka avantazhet dhe disavantazhet e veta.
Të kesh një fëmijë do të thotë t’i kushtohesh atij mjaftueshëm dhe të kesh energji për ta përballuar, pa dashur ta ndash në dy apo tri pjesë. Një avantazh tjetër është fakti se ekonomikisht është më i përballueshëm dhe ju kështu mund t’i siguroni nevojat që fëmija ka më lehtësisht (jo t’ia plotësoni të gjitha domosdoshmërisht, por të siguroni t’i plotësoni atë për të cilën ju gjykoni se ka nevojë, pasi shpesh prindërit gënjehen nga fakti se “fëmijës nuk duhet t’i mungojë asnjë gjë”).
Një disavantazh është se fëmija i vetëm mund të ndihet i vetmuar, por një fëmijë me një motër ose vëlla mund të ndihet edhe i kërcënuar. Dhe ka raste që kjo ndodh natyrshëm në pozicionimin e fëmijëve. Nga ana tjetër, duhet konsideruar fakti që ju jeni në një moshë kur risku është më i lartë për të pasur një fëmijë. A nuk do të ishte një disavantazh të kishit një fëmijë të dytë me probleme të zhvillimit? Mund të jetë e menaxhueshme, por ju mund ta shmangni këtë gjë lehtësisht në vendimin që do të merrni.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.