Posta

November 28, 2019 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / A duhet t’i japim rëndësi njerëzve negativë?

Prej kohësh në punë ka ardhur një punonjëse e re. Ajo që më shqetëson mua është arroganca e saj. Duke ngatërruar pozicionin që i përket, shpesh ndërhyn ose jep përgjigje të pamerituara. Për më tepër, justifikon rolin e vet me qëndrime që nuk i shkojnë përshtat profilit dhe moshës së saj. Pa paragjykuar, a duhet të reagojmë në situata të tilla? Pozicioni i saj është krejt ndryshe nga i imi. Është dhe një dekadë më e vogël se unë. Ajo që na lidh janë mjediset e punës. Shqetësuese kur mendojnë dhe besojnë se i dinë të gjitha, sidomos kur janë në punën e parë. Ka disa njerëz që, edhe kur u thua “shëndet”, iu duket “plaç”. A ia vlen të merresh apo të tregohem indiferente?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Vendi i punës duhet të jetë i qetë, për të minimizuar sa më shumë stresin dhe mbi të gjitha të mund të ndërtojmë një marrëdhënie të ekuilibruar. Aty kalojmë pjesën më të madhe të kohës dhe do të ishte jo e shëndetshme nëse kjo kohë nuk do të ishte cilësore.

Nuk ka asnjë vend pune ku njëri nga ne të mos ketë pakënaqësi si nga ambienti fizik, po ashtu edhe nga marrëdhënie sociale brenda grupit. Ka shumë “sekrete” se si mund të krijojmë një ambient pune pa stres, por kjo nuk varet vetëm nga “tjetri”, i cili nuk është në dorën tonë të jetë ashtu sikurse është. Pyetja që ngrihet është: çfarë qëndrimi mbajmë ne?

Njerëzit janë një ylber pa fund personalitetesh. Ne jemi gjithashtu pjesë e këtij ylberi, i cili pa të gjitha ngjyrat nuk do të kishte pamjen e bukur që ka. Me këtë nuk po kërkoj të “zbus” situatën, por po kërkoj të jem realiste mbi ekzistencën e shumëllojshmërisë në llojin tonë njerëzor, që u lë vend kënaqësive, por shpeshherë edhe frustrimeve në familje, në shoqëri dhe në punë.

Kolegia juaj mund të jetë një person shumë problematik në karakterin e saj, por nëse nuk është pjesë dëmtuese e integritetit tuaj, që s’ka cenuar personalitetin tuaj personal dhe profesional në asnjë rast, atëherë është e udhës ta “ruani” veten nga mundësia për t’u përfshirë në ndjenja inatesh e zemërimi që të çojnë në stres, fundja duke mos i dhënë zgjidhje as “përjashtimit” të personit, por edhe evoluimit të stresit.

Sigurisht, injorimi është mënyra më e mirë për të mos shpërblyer sjelljet problematike të individëve. Por kujdes, është injorim me qëndrim, apo injorim neutral. Është e rëndësishme të mos proklamoni qëndrimin tuaj, por realisht të injoroni duke qëndruar neutral dhe duke “shuar” kështu një sjellje të papërshtatshme që ju gjykoni se tjetri ka ndaj jush.

Kthejeni situatën në favorin tuaj dhe shpërbleni çdo sjellje të hijshme që mendoni dhe shikoni te tjetri. Ju do të shikoni se marrëdhëniet do të përmirësohen dhe kolegë të kësaj natyre do të priren të jenë miqësor, të kuptojnë se kur kanë një sjellje të përshtatshme me të tjerët, janë më të respektuar dhe kur nuk arrijnë të jenë bashkëpunues, injorohen, nuk e kanë vëmendjen që presin prej kolegëve të tjerë.

Revista Psikologjia

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top