Punoj me një grup kolegësh si profesioniste dhe secili prej nesh ndjek projektet e veta. Prej disa kohësh, kam një mbingarkesë që vjen si pasojë e delegimit të detyrave të të tjerëve. Kjo ngarkesë më ka rënë mua në kurriz. Ndaj për arsye pune, m’u desh të largohesha nga shoqërimi me ta. Kjo situatë solli fjalë lart e poshtë kundrejt meje ç’ka nuk më pëlqeu. A është e mundur që mes njerëzve të rritur të ketë hipokrizi dhe meskinitet të tillë? P.sh kur kisha ditëlindjen nuk më uruan siç e kanë bërë më parë, m.gj.th rezultatet nga puna ime janë të mira dhe për pasojë edhe biznesi ka qenë në rritje.

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi
Ne nuk ndryshojmë shumë nga fëmijët kur vjen puna tek përjetimi i emocioneve të ndryshme, si zemërimi, inati, xhelozia, etj. Ne thjesht i shfaqim ato në një mënyrë më të përshtatshme për shoqërinë, që të gjykohemi sa më pak të jetë e mundur keqazi. Marrëdhëniet në punë, janë gati përherë një sfidë shumë e madhe për t’u përballuar.
Ne shpenzojmë një kohë shumë të gjatë atje dhe gati çdo ditë vijmë me një histori pune e cila ndonjëherë shkon mirë dhe ndonjëherë keq. Konkurrenca midis kolegësh është një nga hallkat që duhet përballuar. Ne nuk i kuptojmë dot përherë reagimet e tyre. Shpesh na duken irracionale, por kanë të bëjnë me përjetimin e tyre personal i cili ka shumë mundësi të lidhet me angazhimin dhe arritjet tuaja në punë. Mund të jetë kjo, por mund të jetë edhe ndonjë arsye tjetër.
Unë kam qenë përherë mbështetëse e komunikimit të drejtpërdrejt me çdokënd që papritur ndryshon qëndrim ndaj meje, ashtu pa e kuptuar, sidomos kur nuk jam e qartë, për të kuptuar më mirë perspektivën e tjetrit dhe për të qenë e drejtë në gjykimin tim në raport me personin që kam përballë. Kështu pra, ftojeni shokun, shoqen, kolegët të flasin me ju rreth çështjes në fjalë, komunikojini që jeni e shqetësuar me reagimin e tyre dhe se ju ka bërë përshtypje etj. Është mëse e udhës kështu.
Në të gjitha rastet, çfarëdo që të mendojnë e ndiejnë për ty, ju e keni bërë të qartë reagimin tuaj, dhe kjo është më e ndershme. Më pas, ju nuk mund të keni në dorë reagimet e kolegëve tuaj. Ju do të ndjeheni mirë dhe e hapur ndaj çdo bashkëpunimi social dhe profesional që afrohet.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.