Posta

October 31, 2019 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Djali im është dembel

 

Përshëndetje! Kam një djalë 16 vjeç. Është shumë i mirë dhe i qetë si natyrë, por ka një të metë që na mundon të gjithëve në familje dhe kudo. Është shumë dembel, i përtueshëm. I merr gjërat me shumë lehtësi. Duket sikur nuk e vret mendjen për asgjë. Mua dhe bashkëshortit na duket sikur nuk e motivon gjë, sikur nuk ka shumë pasione. Atij s’i ka munguar asnjëherë asgjë dhe na vjen çudi që nuk mundohet fare të investojë për veten e tij. Të lutem, na thoni sesi mund të veprojmë.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Adoleshentët janë grupmosha ime e preferuar. Është një moshë mjaft e bukur dhe me një spektër problemesh, zgjidhja e të cilave varet shumë nga formimi i personalitetit të fëmijës. Familja ka një rol mjaft domethënës në këtë investim kaq të rëndësishëm.

Investimi më i sigurt dhe më i bukur që prindërit bëjnë është fëmija. Kur ai vjen në jetë, ne natyralisht mendojmë se kemi në dorë gjithçka që ai është. Por, në fakt, nga vetë veprimet e fëmijës, ne kuptojmë se kemi në dorë shumë pak, VETËM veprimet tona.

Fëmija nuk mëson nga ato që themi, por nga ato që veprojmë dhe ky model është i ngushtë me fëmijën. Është e rëndësishme t’i tregojmë që herët fëmijës se ai është i pavarur, se ai ka mundësi t’ia dalë i vetëm, se ai ka potencial, talente, marrëdhënie me botën etj.

Por, si realizohen këto? Ne kemi mundësi t’i tregojmë fëmijës se ai e ha ushqimin mjaft mirë vetë, se duart e tij janë kaq të bukura kur i përdor, se këmbët e tij ecin vetë, i ngjisin shkallët vetë, se rrobat i merr dhe i vesh vetë, se dhëmbët i lan vetë, se shtrihet në krevat dhe i mbyll sytë vetë. Se, mbi të gjitha, kërkon krevatin e tij. Kërkon fjalën e tij. Kërkon të thotë mendimin e tij. I dëgjojmë, mbështesim iniciativat e tij.

Ne sigurojmë që të gjitha këto që përmenda më lart, por edhe të tjera, t’i bëjmë në vend të fëmijës dhe të mos kujdesemi që iniciativa origjinale, natyrale të fëmijës t’i mbështesim dhe t’i rrisim duke i shpërblyer. Kështu fëmija mëson të ketë besim në vetvete dhe se ia del. Kjo rrit vetëmotivimin e fëmijës dhe dëshirën, zellin për punë.

Inkurajojeni që fëmija të ndërmarrë iniciativa dhe mos i ndërprisni ato ose t’i bëni në vend të fëmijës, përkundrazi, krijoni mundësi shpërblimi dhe jepini përgjegjësi fëmijës dhe besimin që do t’i realizojë ato.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top