Jam një nënë dhe kam djalin 8 vjeç. Është një fëmijë shumë i pabindur, nuk më dëgjon për asgjë. E kam në klasë të dytë dhe mësuesja më ankohet çdo ditë për të. Jam jashtë mase e mërzitur sa nuk e di se çfarë të bëj. Ju lutem brenda mundësive më ndihmoni. Me respekt nga Suedia.
Përshëndetje Nëna nga Suedia. Fëmijët mësojnë shumë nga mënyra se si ne reagojmë ndaj fenomeneve, sidomos ndaj tyre. Nuk i duhet shumë kohë që ata të mësohen me rregullin e gjuhës së sjelljes: një stimul i caktuar sjell një sjellje të caktuar, e cila më pas pasohet me një shpërblim. Çdo sjellje që rritet është e ushqyer, pra e shpërblyer. Thuhet sipas studimeve bihejviorale se çdo sjellje që ndërshkohet ulet, por a është gjithmonë ndëshkimi zgjidhja e duhur? Mos ndoshta duke menduar se po e ndëshkojmë po e përforcojmë sjelljen problem? Shpeshherë e dëgjojmë veten të ngremë zërin ndaj fëmijëve dhe pretendojmë që ata të na dëgjojnë, por ndodh që koha e qetësisë është shumë e shkurtër dhe fëmija sillet edhe më keq, madje bëhet edhe agresiv ndaj jush. Mos ndoshta vëmendja që po i jepni është përforcuesi që e mirëmban këtë sjellje?
Ja pse kemi rritje të sjelljes dhe jo ulje të saj. Ndonjëherë, për mos realizimin e një detyre, ne i themi fëmijës të largohet në dhomë. Por mos ndoshta kjo është ajo që në të vërtetë fëmija do? Se kështu ai largohet nga detyra e vështirë që i është dhënë më parë? Është e udhës në këto raste që ju të këmbëngulni në mbarimin apo përfundimin e detyrës. Po si mund të bindet një fëmijë i pabindur? Çfarë e bën një fëmijë të jetë kompliant, bashkëpunues? Në të gjitha rastet, fëmijët kanë nevojë për rregulla, për strukturë. Këto rregulla japin siguri dhe lumturi njëkohësisht.
Fëmijët duan të parashikojnë atë që do të ndodhë me ata. Fëmijët duhet të kenë një ditë të organizuar dhe brenda saj spontanitet që lidhet dhe me përforcuesit e “merituar.” Si mendoni sikur të strukturoni ditën e fëmijës? Si mendoni të vendosni një orar për lojën, për detyrat, për ndarjen e disa punëve të lehta shtëpi, të ushqimit në tavolinë, për rregullimin e rrobave të veta, etj. Fillimisht bëni një vlerësim se sa shumë gjëra bëni ju për të dhe se sa bën ai, fëmija për veten e tij. Ju kujtoj se ju nuk jeni shoqja e tij, ju jeni nëna dhe keni për detyrë të kujdeseni dhe ta drejtoni atë. Ju e doni pa kushte dhe ia tregoni çdo ditë, por dashuria nuk vjen me miqësi, por me një orientim të kujdesshëm për të ardhmen e sjelljes dhe dijes së tij.
Pas çdo kundërshtimi ka këmbëngulje nga ana juaj për të vazhduar detyrën apo aktivitetin deri në fund. Kujdesuni që të ndaloni kënaqësitë e tjera që vijnë më pas nëse fëmija nuk mbaron apo nuk i bindet paraardhëses. P.sh nëse i duhet që të vishet vet për të shkuar në shkollë, e di që është shumë e vështirë, por ju nuk duhet të bëni asnjë përpjekje për ta veshur në kohë. Nëse koha përfundon, do të duhet t’i tregoni se do shkojë në shkollë me pizhamat ende sipër. Ose nëse nuk bindet që të hajë ushqimin që i keni vënë përpara, atëherë do të duhet që ta hajë edhe më vonë të njëjtin ushqim, pasi nuk do të ketë tjetër.
Kujdesuni që të mos hajë asnjë gjë tjetër. Tregojini që ushqimi ka vlera dhe se shumë prej nesh nuk ka privilegjin ta kenë në tavolinë. Ju refuzoni ta hidhni ndaj ai do të jetë edhe në darkë, pse jo edhe për mëngjes. Më besoni, asnjë fëmijë nuk e lë veten të “vdesë” për ushqim. Kështu do të vazhdoni edhe për shumë aktivitete të tjera, por mos harroni ta lavdëroni dhe t’i vini në pah çdo sjellje bondjeje dhe pozitive që fëmija bën. Kështu ai do të mund të marrë përforcuesin e duhur në kohën e duhur.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 143
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.