Posta

January 27, 2020 | 8:05

Posta nga Denata Toçe / Dua një mendim

 

Jam një nënë e divorcuar. Kam një bebe vajzë. Tani jetoj në Europë, larg nga njerëzit e mallkuar që më sollën ndarjen, shkatërrimin e familjes. Edhe pse jam larg, mërzitem dhe në të njëjtën kohë bëhem shumë nervoze kur i kujtoj bëmat e burrit. Sot as që nuk kujtohet se është baba. Jam shumë e re dhe kam frikë të mendoj për dikë tjetër. Jam zhgënjyer ai dhe nuk besoj më në njerëz. Kjo më bren shumë.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Sa shumë gjëra kanë ndodhur në jetën tuaj. Ju jeni martuar, divorcuar dhe keni dhe një bebe. Më pas jeni larguar nga Shqipëria. Nuk është e lehtë të përballosh të gjitha ngjarjet së bashku e vetme dhe të kuptoj mjaft mirë. Ju është dashur të përballeni me njerëzit të cilën ju mendoni se ju kanë ndarë, më pas me fëmijën që erdhi në jetë, dhuratë me të bukur nuk ka padyshim, por do të duhet të kujdeseni për të dhe largimi nga vendi yt, njerëzit e tu, miqtë dhe shokët.

Jeta bashkëshortore jo për të gjithë shkon mbarë, por në përvojën time si psikologe në gjykatë, takimi me shumë çifte më ka bërë të kuptojë se ndarja me një partner që nuk arrin të përmbush nevojat prioritare familjare, është e vështirë ta mbash në krah për një kohë të gjatë, se familja ka përgjegjësi dhe vështirësi të cilat do të duhen të përballohen nga të dy palët. Me këtë dua t’ju them se jo çdo e keqe vjen për keq.

Një gjë tjetër shumë e rëndësishme është që të filloni të mendoni dhe gjërat që të kanë ndodhur ty e para nuk ju ndodhin VETËM ju dhe e dyta është një eksperiencë e cila nuk duhet harruar por pranuar. Të gjithë ne duam t’i largohemi ndjenjave të këqija, gjërave që na kanë lënduar duke mos u përballuar me to. Do të ishte e udhës, për shëndetin tuaj psikologjik, që të mund të filloni të pranoni atë që ka ndodhur, pasi riciklimi vicioz i mendimeve tuaja mbi historinë dhe pritshmëritë e orientuara drejt shpresës se babai do të ndryshojë mendim, ka mundësi t’ju lëndojë më shumë.

Jam e sigurt për një gjë, se babai i vajzës suaj, e do fëmijën e tij, nuk mendoj që ai nuk do të donte ta shikonte dhe të mundësonte kujdes për të, por shpesh njerëzit janë të mbytur nga shumë ndjenja të tjera: krenaria, turpi, inati, trusnia e mentalitetit, etj. Të gjitha këto që po shpreh janë hipoteza, por që vlen të mund të mendohen përpara se të shtoni inat dhe zemërim, pasojat e të cilëve përfundojnë te ju.

Nuk do të ishte e udhës dhe për vajzën tuaj të transmetonit kaq shumë zemërim dhe inat në atmosferën e familjes suaj. Pastaj, duhet të merret në konsideratë edhe një faktor tjetër, që është shumë i rëndësishëm në kuadrin e mundësisë së babait për të parë fëmijën.

Ju jeni larguar nga Shqipëria po më thoni, dhe sigurisht, largësia e vështirëson edhe më shumë qasjen e babait për t’u kujdesur për vajzën. Ndoshta kjo hipotezë që unë ngre është e gabuar, por dua që ta merrni në konsideratë ndërsa jeni në reflektimet tuaja, dhe mbase me kalimin e kohës mund të ndihmoni veten të kaloni brengën që ju mundon. Ju uroj jetë të gjatë e të bekuar ju dhe vajzës suaj!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top