Posta

January 31, 2019 | 8:30

POSTA nga Denata Toçe / Dua të kem shok e miq, por nuk di të bëj shoqëri

Jam një djalë 30 vjeç. Shqetësimi dhe pyetja ime është se nuk di të bëj shoqëri. Nuk di të them pse? Dua të tregoj pak për të qenë më në brendësi, do mundohem sa më shkurt. Që i vogël, nga klasa e parë e deri në të mesmen, shokët më kanë keqtrajtuar, ofenduar, tallur, nëpërkëmbur etj. E kjo ka ndodhur përveç natyrës sime, sepse jam i ngathët, i urtë për fat të keq, por jam dhe ezmer. Kështu është ngjyra e lëkurës sime. Jo pak probleme më ka shkaktuar, e më shkakton, të cilat i vuaj ende sot. Mua nuk më shqetëson më shumë kjo se sa fakti që dua të kem shok e miq. Por nuk di të shoqërohem, të komunikoj, të sillem e të jem i pranueshëm. Në fakt, nuk kam pasur shok apo shoqe gjatë gjithë jetës sime. Veç me raste ato kanë shkuar si mos më keq, pra ka zgjatur fare pak.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Përshëndetje i dashur lexues. Më vjen vërtet keq, jo për ju, por për shoqërinë tonë, e cila është zhvilluar në një terren ku ndryshimi nga shumica e zakonshme, është problem. Unë mendoj se çdo gjë jashtë të zakonshmes është e jashtëzakonshme. Nuk e ka fajin as tipi juaj dhe për më tepër lëkura juaj. Kjo është gjëja e parë që do të duhet t’ia përsërisni vetes çdo ditë. Pra ju duhet t’i thoni vetes: “Unë nuk kam faj!”

Duke u përfshirë si subjekt talljesh dhe përçmimesh, individë të ndryshëm mendojnë se janë fajtorë për atë që janë. Fatkeqësisht, edhe shoqëria e mbështet këtë gjë, por është plotësisht e padrejtë dhe e padenjë edhe për vet ata. Kjo, padashur, si një zinxhir rreth qafës, i bie shumë shpejt në qafë edhe vet tallësve, pasi jeta është e mbushur me andralla, dhe më të voglin shqetësim të kesh, do të dalë jashtë të zakonshmes. Fjala vjen, një familje e divorcuar shihet si deficit për shoqërinë. Pra, tallësit mund të kthehen në viktimë e talljeve se jeta i solli që të ndahen prej partnerëve të tyre. Frazat që dëgjon më së shumti janë: “Gjynah i\e shkreti\a.”

Nuk dua të përmend dëshmitë që jeta u sjell njerëzve, pasi me ilustrimin më sipër dua të mjaftohem për të thënë se skemat pranuese të normave që ka vënë shoqëria shqiptare, janë të padrejta dhe shumë prej nesh bëhen viktimë e tyre. Fëmijët që të vegjël përjetojnë kontrastin e thellë të përkatësisë së suksesit: o je i dhjetës, ose nuk vlen fare; ose je i bardhë si bora, ose je jevg; ose je i shkathët në futboll, ose je qulls; ose ia fut me grusht shokut, ose je legen. Të gjitha këto janë irracionale në raport me larminë e sjelljes dhe ndërtimit të temperamentit të njeriut.

Secili prej nesh ka një shkallë ndjeshmërie shumë të ndryshme, dhe do të duhet të individualizohemi në këtë dimension për t’i dhënë ngjyrat e duhura dhe të nevojshme shoqërisë. Sigurisht që ka njerëz të ndrojtur, që nuk thonë ose mezi sa thonë një fjalë, por prej tyre kam parë të ndodhin gjëra të mrekullueshme. Unë kam parë njerëz ekspresivë, të lëvizshëm, aktiv që të vegjël i penalizonin për natyrën e tyre të papërqendruar, por kam parë prej tyre gjëra të jashtëzakonshme të ndodhin. Kam parë njerëz me ngjyrë, të ndrojtur, të ngathët në komunikim apo edhe në sporte, por kam parë se sa të dashur, të dhimbsur janë me të tjerët, të përkushtuar dhe familjarë me partnerët, të talentuar dhe të palodhur janë në profesionet e zgjedhura.

Unë kam besimin se edhe ju jeni një njeri i veçantë. Mjafton të keni kurajën dhe besimin e nevojshëm se çdokush prej nesh do të donte t’ju njihte. Nëse doni të ushtroheni të provoni të aktivizoni besimin tuaj, mund t’i nënshtroheni një procesi profesional pranë një specialisti të CBT (terapisë konjitive – bihejviorale) për të kuptuar dhe orientuar më nga afër besimet tuaja aktuale dhe të zhvilloni ato besime racionale mbi potencialet tuaja.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 134

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top