Jam student në vitin e parë në fakultet. Më ndodh shpesh në përditshmëri të mos ia dal të shprehem kur jam me shokët e mi. Vij nga një qytet i largët i Shqipërisë. Si natyrë jam paksa i tërhequr. Që kur kam nisur shkollën, problem shqetësues është se nuk mundem të tregoj gjëra, të cilat brenda vetes i kam të qarta si t’i rendis, por nuk arrij t’ia dal dot me fjalë në komunikim. Çfarë më këshilloni?
Duhet të pranoni faktin se ju keni vetëm pak kohë që keni ardhur në Tiranë dhe jeni vetëm në vitin e parë. Ju nuk tregoni në letër nëse e keni patur të vështirë edhe në qytetin tuaj apo jo të shpreheni, por nëse është kështu, sërish vlen faktori i zhvendosjes si një proces përshtatjeje.
Jepini kohë vetes të ndjeheni i besuar me qytetin e ri ku po jetoni. Stili juaj i jetës ka ndryshuar, ndaj dhe kërkon fazën e përshtatjes ta kalojë me sukses. Faktori i dytë shumë më i rëndësishëm që konstatoj është mbivlerësimi që ju i bëni “tjetrit”. Ky i fundit është shumë i rëndësishëm ne marrëdhëniet tona sociale. Bashkon si puzzle nevojat tona si individë socialë, por kur qëndron në kufijtë e duhur të vlerës.
Mbivlera krijon tension, ankth dhe bllokim. Nëse ju mendoni se do të duhet t’i pëlqeni PATJETËR shokut apo shokëve tuaj, se ndryshe nuk keni vlerë ose nuk keni rëndësi sociale, atëherë që këtu ju keni bërë hapin e gabuar. Do të përqendroheni më shumë tek ajo që do të thoni dhe do të humbisni kontrollin e hapit për ta thënë natyrshëm.
Fabula e shumëkëmbëshit është ajo që më vjen ndërmend: “një herë e pyet një larvë shumëkëmbëshin se si ia bënte që ecte kaq bukur, me ato këmbët e tij të shumta që koordinoheshin me finesë, gati sikur vallëzonin. Atëherë shumëkëmbëshi ra në mendime dhe i pëlqeu shumë ajo që i tha larva. Me të filluar të mendonte, ndërsa do hidhte hapat e tij të parë vallëzues, ngeci në vend dhe nuk dinte nga t’ia fillonte”. Besoj se morali është i qartë.
Ne komunikojmë me të tjerët ashtu si ne jemi brenda vetes sonë. Nuk mund të “zbukurojmë” më shumë atë që është tashmë natyralisht e bukur, vetvetja. Lëreni veten të shprehet lirshëm pa menduar se si do të ngjani, pasi jam e sigurt se ajo që sot të thonë do të jeni thjesht, JU!
P.S: Nëse keni rritje të intensitetit të ankthit për më shumë se 6 muaj dhe vështirësi që pengojnë seriozisht komunikim në publik përgjatë kësaj kohe, drejtohuni në redaksinë tonë për t’ju referuar në një profesionist të fushës për të marrë asistencën e duhur.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.