Posta

January 16, 2020 | 8:08

Posta nga Denata Toçe / E shqetësuar për tim bir!

Ju shkruaj për disa këshilla mbi sjelljen e tim biri 13-vjeçar. Është një fëmijë normal, me shumë miq, praktikon sporte dhe ka marrëdhënie shumë të mira me mua, të atin dhe motrën 11 vjeçe. Qysh i vogël ka pasur një sjellje të çuditshme apo fiksim me ushqimin. Është shumë i dobët, edhe pse ha në sasi të mëdha. Sa herë që ulemi në tryezë, ka një grykësi të paparë, aq sa shpesh duket i paedukatë. Duket si një fëmijë që, në të kaluarën, ka pasur mungesë ushqimi dhe tani ka frikë se nuk mund të hajë më. Sigurisht që nuk është kështu, pasi jemi një familje me nivel të lartë ekonomik, e kemi këshilluar djalin për sjelljen e tij, por e ka të pamundur që të jetë më i qetë në tavolinë. Dhe shpesh kur çohet, i dhemb stomaku nga të ngrënët e tepërt. Duhet t’ju bëj me dije se ai konsumon vetëm vaktet kryesore dhe asgjë tjetër gjatë ditës. Mos ndoshta kjo sjellje e tij ka një problem psikologjik që fshihet pas. Si ta ndihmoj?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Situata juaj, në përmasa dhe forma të tjera, është thuajse e ngjashme me një pjesë të mirë të shoqërisë sot.

Ushqimi është një faktor shumë domethënës gjatë të përditshmes. Konsumi i tij ofron plotësimin e nevojës sonë bazë biologjike, pra është parësor dhe, si i tillë, neurotransmetuesit që lëshohen gjatë procesit, janë përgjegjës për të dhuruar kënaqësi.

Kjo përkthehet në përsëritje të sjelljes si nga nevoja biologjike dhe psikologjike për të kënaqur veten tonë. Sot shumëllojshmëria e ushqimit ka prirje të nxisë sjellje të tjera që i bashkohet kësaj kënaqësie.

Fenomeni i “grykësisë” njihet mes të rinjve si një faktor mbrojtës dhe kompensues të vështirësive emocionale me të cilat përballen dhe nevojës në rritje të tyre. Nuk e kam informacionin për të kuptuar më shumë për djalin tuaj, por nëse kjo sjellje bëhet shqetësuese edhe për djalin, ju lutem referojuni një profesionisti të fushës së mjekësisë për të përjashtuar ose jo shkaqet organike dhe, më pas, po të jetë e nevojshme, referojuni një profesionisti të fushës së psikologjisë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top