Posta

June 25, 2018 | 13:43

POSTA nga Denata Toçe / Fëmija ma bën për borxh!

Përshëndetje, jam një nënë dhe kam dy fëmijë. I madhi në shkurt mbush 6 vjeç dhe i vogli për pak 3 vjeç. Jam shumë e shqetësuar me sjelljen e djalit të madh. Ai që i vogël ka qenë kërkues. Nëse donte një lodër, do ia blija patjetër, se nuk mundesha ta duroja. Që në moshën dyvjeçare që ishte, më bënte ironi nëse unë e qortoja. Aktualisht është në klasën e parë dhe është fëmijë i zgjuar, por sjellja e tij më bën të ndihem keq. Aq sa nuk dal dot nga shtëpia, sepse ngacmon djalin e vogël, sa nuk më plas zemra. Në rrugë, në dyqan, kudo ku shkoj me të kam frikë të dal me të. Ndihem shumë keq. Ia shpjegoj me të mirë e me seriozitet, por ai qesh. Në shkollë po ashtu ka ditë që sillet shumë mirë, ka ditë që mësuesja ka vërejtje. Më besoni, sa herë sytë e mi janë me lot në rrugë, në autobus, në tren, dhe ai sa shikon njerëz (tërbohet) them unë. Nuk e di pse ndodh kjo? Sa mund të zgjasë? Ju lutem më ndihmoni!

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Përshëndetje, e nderuar! Kjo do të zgjasë sa të vendosni ju disa rregulla në jetën tuaj si prindër. Nuk mund t’ju fajësoj dhe askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë, për më tepër fëmija juaj. Do të duhet që të merrni timonin e familjes bashkë me bashkëshortin. Po, po, babain do të desha ta kisha në këtë letër. Do të doja të dëgjoja se edhe ai e ka “pësuar” si ju, por nuk ka shkruar asnjë rresht. Duket se jeni disi e vetme në këtë histori. Nëse babai i fëmijës është pranë jush, do të duhet ta llogarisni në rregullat e reja të familjes. Brenda këtyre rregullave, ju keni komandën. 

Do të duhet që të vendosni një limit për atë se çfarë fëmija mund të ketë ose jo. Sigurisht që mund të ketë një lodër, por nuk mund ta ketë më shumë se një herë në muaj. Sigurisht që fëmija mund të vijë të bëjë pazar me ju, por nuk mund të ketë më shumë se një shpenzim prej 200 Lekë nëse do të blejë diçka për veten e tij. Sigurisht që mund të blejë diçka me ato para, por nuk mund të blejë ëmbëlsira (nëse ky është një rregull që ju doni ta vendosni.) 

Përsa i përket ngacmimit të vëllait, duket se ka marrë mjaftueshëm vëmendje për këtë. Pra, ai ka marrë vëmendje për pjesën më të madhe të sjelljeve, sa herë që sjellja e tij ka qenë gërnjare (me shpërthime zemërimi.) Vëmendja dhe aksesi te materialet e dëshiruara, janë faktorë shpërblimi. Sa herë që analizojmë sjelljen dhe arsyet e saj, do të duhet të kemi parasysh faktin se kjo sjellje është ushqyer, mirëmbajtur. Pra, do të duhet të shikojmë se cilët janë stimujt fillestarë nxitës të sjelljes dhe se cilat janë pasojat. 

Nëse sa herë që fëmija ju ka kërkuar diçka në publik, duke qarë apo përplasur këmbët dhe e ka përfituar, atëherë shpërblimi është marrë dhe fëmija kësisoj ka mësuar që sa herë që ai kryen atë sjellje, përfitimi është i sigurt. Në këtë rast, si një ekuacion logjik, do të duhet të ndërpresim ushqimin. Kjo është një zgjidhje jo shumë e thjeshtë, por e sigurt në reduktimin gradual të sjelljes. 

Nëse ju i keni dhënë vëmendje, atëherë do t’i drejtoheni vetëm një herë fëmijës “lodra që po kërkon është pak e shtrenjtë për ne dhe nuk mund ta marrim, por mund të marrësh diçka tjetër!” (brenda shumës që e përcaktoni ju). Mbas kësaj, nuk do t’i drejtoheni më fëmijës, do të injoroni çdo sjellje zemërimi, edhe pse mund të ndodhë në sy të të tjerëve. Bëni durim, prisni, qoftë edhe ulur diku. Ndoshta të tjerët do të mendojnë se ju po veproni në mënyrë shumë radikale ose mospërfillëse, por këto gjykime momentale janë shumë më pak të rëndësishme sesa përfitimi afatgjatë i edukimit të fëmijës suaj. 

Ju do të vëreni se fëmija do të rrisë tavanin e sjelljeve problem, por gradualisht, nëse ju nuk dorëzoheni, sjellja problem do të ulet. Mos harroni të zëvendësoni injorimin me shpërblimin pozitiv ndaj sjelljeve pozitive tek të cilat e ridrejtoni. Nëse fëmija kërkon një çokollatë duke qarë, provoni ta nxisni t’jua kërkojë qetë “të lutem mund të më blesh një çokollatë?” Menjëherë shpërbleheni për mënyrën sesi jua kërkoi, me shprehje të ndryshme sociale duke e shoqëruar edhe me çokollatën. 

Nuk është e nevojshme të theksoni se çokollatën e mori se u bë djalë i mirë, thjesht shpërbleni faktin që e kërkoi në mënyrën e duhur. Kështu do të duhet të veproni dhe me sjelljet e tjera, të cilat nëse vazhdojnë, do të duhet t’i drejtoheni një analisti të sjelljes për të përgatitur një program më specifik drejt modifikimit të sjelljeve problem.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top