Nga: Denata Toçe
Psikologe Këshillimi
Kam një problem në marrëdhënie, pasi çdo herë përsëritet e njëjta situatë. Në qoftë se më pëlqen ndonjë djalë, ndodh gjithmonë që më trajton shumë keq. Por, kur i pëlqej ndonjë djali, nuk më pëlqen të krijoj lidhje. Asnjëherë nuk funksion për shkak të këtij problemi. Si mund të ndreq veten?
Përgjigje: Marrëdhëniet që ne krijojmë gjatë jetës së hershme reflektohen dhe në marrëdhëniet që krijojmë në të ardhmen. Shumë prej nesh që krijojnë marrëdhënie të sigurta, të zhvilluara në një kontekst të “shëndetshëm” familjar, të ngrohtë, të shpërblyera në marrëdhënie rritëse dhe pozitive, që promovojnë respektin dhe dashurinë, janë domethënëse për mënyrën se si ne i besojmë botës sociale.
Në këtë botë sociale hyjnë edhe marrëdhëniet ndërpersonale, të cilat kërkojnë një terren të mirëformuar të marrëdhënies në përgjithësi, në këtë rast të figurës atësore dhe mashkullore, që më pas tregon marrëdhëniet dhe me meshkujt e tjerë. Nuk dua ta bëj përgjigjen time shumë shkencore, por dua që ju të reflektoni mbi vështirësitë, mundësitë që patur në marrëdhëniet tuaja familjare, me prindërit, me modelin e çiftit prindëror, me besimin që keni krijuar për nocionin e lidhjes në përgjithësi dhe në veçanti.
Është e rëndësishme të kuptojmë ato që duket se janë të shëndetshme në këto marrëdhënie dhe ato që duket se janë të papërmbushura apo që kanë krijuar lëndime psiko-afektive te ju: premtime që nuk mbahen, ndrydhje, autoritet, mospranim, etj. Nëse ka patur episode të këtilla, atëherë ne jemi lënduar edhe pse na duhet t’i pranojmë prindërit tanë ashtu sikurse janë, sepse janë pjesë e jetës sonë. Ne nuk e zgjedhim këtë gjë.
Studimet kanë treguar se këto situata krijojnë shpeshherë një lloj “mazokizmi emocional” ku dashuria kalon nëpërmjet dhimbjes. Është e udhës që ju të filloni të mendoni dhe të besoni se për këtë nuk është faji juaj, mbi të gjitha t’i krijoni mundësi vetes për të krijuar besime të reja për marrëdhëniet tuaja.
Si mendoni të filloni të besoni: “Unë meritoj më të mirën!” Ky do të ishte një fillim i mirë. Një njeri që të “rreh” nuk të do, edhe pse skema kulturore shqiptare e promovon këtë thënie. Një njeri që të do, kujdeset që të japë dhe të falë dashuri, gjithnjë duke kërkuar nga ty vetëm një gjë: t’i japësh mbrapsht dashuri. Është e rëndësishme që veprimet e tij të shkojnë drejt respektit dhe kujdesit që ti dhe ai të ndjeheni mirë.
Nëse ju më keni shkruar këtë letër, do të thotë se ju tashmë nuk ndjeheni mirë. Atëherë, çfarë prisni? Jepini mundësi njerëzve që kanë qëllime të mira dhe të shëndetshme t’ju tregojnë se sa të duan. POR, fillimisht, tregoju ti se SA E DO VETEN TENDE!
Revista Psikologjia
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.