Nga:Denata Toçe
Psikologe Këshillimi
Prej disa muajsh kam zbuluar se bashkëshortja ime është e dashuruar me dikë tjetër, një koleg pune. Kur e zbulova, fillimisht u inatosa shumë. E bisedova me të dhe tashmë jam disi i habitur pasi mendova, gjysma e së keqes që ajo ma pranoi. Mendimi që më shqetëson shumë është se a duhet ta lë apo ta fal?! Mbase jam unë ai që nuk kam kuptuar asnjëherë marrëdhënien tonë në të kaluarën. A mundet të ndodh kështu?
Përgjigje: Ju jeni ndër të paktët burra shqiptar që mendoni dhe shpreheni në këtë mënyrë rreth raportit tuaj me gruan. Më bën përshtypje reflektimi personal mbi mundësinë e një mungese nga ana juaj në raport me marrëdhënien me bashkëshorten. Ky është një hap që i vë në përgjegjësi të gjithë ata që mendojnë ndryshe pasi është guri i qoshes për të kuptuar dhe rimëkëmbur marrëdhënien dhe vetveten brenda saj.
Duhet ta keni pasur të vështirë dialogun me gruan tuaj e cila ju thotë se dashuron dikë tjetër. Që në këtë hap të historisë suaj, vlen të kuptoni nëse gruaja është ende e dashuruar me ju apo jo?! Fatkeqësisht dhe fatmirësisht, njeriu mund të dashurojë më shumë se një herë në jetën e tij, ndodh edhe njëkohësisht, por interesat dhe mënyra ndryshon.
Sigurisht, më komplete mbetet ajo marrëdhënie dashurore e cila arrin të shpërblehet e plotë me partnerit dhe jo e pështjelluar me ndjenja të tjera, të cilat janë të pranishme si në historinë tuaj. A kërkoni ju që të keni një raport ku gruaja juaj do dy persona? A mendoni se përqendrimi i saj tek një person i dytë vjen si rezultat i marrëdhënies suaj me atë? Kjo pyetje e fundit, të cilën ju ia keni bërë tashmë vetes, kërkon kohë ballafaqimi me ju, të përcaktoni më mirë ndjenjat tuaja, sidomos në raport me bashkëshorten dhe stilin e jetesës në marrëdhënien tuaj ndërpersonale që është shumë e rëndësishme.
Mos u përpiqni të realizoni në kokën tuaj se gruaja ka nevojë që të bëni një gjë të jashtëzakonshme për t’i pëlqyer. Thjesht, jini një dëgjues i mirë, aktiv ndaj nevojave të saj dhe tuajat. Më pas, fokusohuni tek gjërat që në dukje duken të vogla por me shumë rëndësi për partneren. Përgatitini mëngjesin surprizë nëse asaj i pëlqen, jepini lule kur nuk i pret, thërriteni në emra përkëdhelës, dhurojini një darkë romantike ku gatuani ju dhe më pas kërkojini të bëni dashuri së bashku. Thuaji që keni mall për atë, etj. Të gjitha këto aspekte të jetës së përditshme, do t’ia kërkosh vetes me një kusht: nëse ju e dëshironi, e doni akoma gruan tuaj. Ndërsa në raport me vendimet e gruas suaj për personin tjetër që ajo ju thotë se e dashuron, nuk mund të jap mendim, pasi është një zgjedhje që i takon asaj ta realizojë. Ju, përgatituni të realizoni atë që doni më shumë nga kjo histori, këmbëngulës por jo kokëfortë.
Revista Psikologjia
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.