I fejuari im prej disa kohësh ka vështirësi në përballimin e problemeve dhe nuk arrin të kontrollojë veten, duke bërë sjellje jo të zakonshme. E kam këshilluar të takojë një specialist, por refuzon gjithnjë e më shumë. Nuk jam e shqetësuar për sigurinë time, sepse nuk është agresiv me mua apo me të tjerët, por e urrej kur ai nuk di të përballojë gjërat qoftë të vogla për nga rëndësia si psh. rregullimi i makinës… Dëshiroj të krijojmë një familje, por kur mendoj lindjen e një fëmije, a do jetë ai në gjendje të përballojë të qarat e bebes e netët e vona pa gjumë?
Në të tilla raste unë mendoj që ne nuk kemi në dorë të ndryshojmë të tjerët, por mund të kontribuojmë në modifikimin e tyre në disa rrethana jetësore në çift, gjithmonë nëpërmjet komunikimit. Nuk është e lehtë të komunikosh me një partner, i cili duket të jetë shumë i stresuar.
Në të shumtën e rasteve, individë me një shkallë stresi mjaft të lartë reagojnë me shumë agresivitet ndaj situatave tepër banale, pasi aty shkarkojnë, ose ndryshe në gjuhën e profesionistëve ky fenomen njihet si mekanizëm mbrojtës, zhvendosja, pra zhvendosin problemet e mëdha duke reaguar ndaj situatave banale, që është si ajo pika e fundit e ujit në gotën plot dhe e bën të derdhet.
Ne të gjithëve mund të na ketë ndodhur që të jemi shumë të stresuar, ta kemi kokën të ngarkuar me shumë probleme të jetës së përditshme, të cilat na presin t’i zgjidhim, dhe prishja e zinxhirit të pantallonave mund të jetë një problem shumë i madh, pretekst ky për të shkarkuar të gjithë ngarkesën e stresit: “Tani e gjeti ky zinxhir dreqi!”.
Ndodh që mund të hedhim pantallonat nga ballkoni, apo të kapemi me gruan që nuk e pa përpara se ai t’i vishte, etj. Është e rëndësishme që ju të mund të kaloni kohë komunikimi bashkë. Të kuptoni se cilat mund të jenë problemet e vërteta të jetës së përditshme që atë mund ta shqetësojnë, ndoshta papunësia, probleme me prindërit, etj.
Mandej, gjeni një mënyrë se si mund të shpenzoni kohë bashkë në një vend të qetë për t’u relaksuar, të paktën një fundjavë në dy javë. Është shumë e rëndësishme që edhe ju të mund të kuptoni më shumë rreth reagimeve të tij.
Nëse partneri juaj nuk ndryshon qëndrim, atëherë sigurisht që ka nevojë për aktivitete më të forta relaksuese, pse jo JOGA. Ndoshta referenca tek një profesionist mund t’i duket ende tabu, por Joga mund t’i duket argëtuese. Mbase mund të shkoni të dy. Ofron seanca mjaft të mira relaksimi e meditimi dhe për trupin, por edhe për mendjen. Më vonë mund të mendosh nëse është e mundur një fëmijë me partnerin tuaj, apo jo. Pasi ky është një vendim të cilin do ta merrni vetëm ju në raport me nevojat që keni me partnerin dhe jetën tuaj me të.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.