Jam studente jashtë. U largova nga Shqipëria kur isha 15-vjeçe. Kjo ishte dëshirë më shumë e prindërve të mi. E mora me optimizëm, me mendimin për të qenë e realizuar siç duhet duke u shkolluar jashtë. Por jeta nuk është aq e lehtë. Sidomos për një fëmijë në hyrje të adoleshencës. E kam vuajtur shumë këtë fakt. Ua thosha prindërve të mi, por ata donin që unë të qëndroja. Nga njëra anë kishin paguar e duhet t’ia shpërbleja. Por vështirësitë i hoqa vetë mbi supe. Kanë kaluar 5 vjet dhe unë kam një ftohtësi kur komunikoj me ta. Sidomos me nënën. I flas pak ose nuk e marr fare në thirrje. Nuk di si ta menaxhoj këtë gjendje. Kam vendosur dhe të mos kthehem. Nuk ua kam thënë ende. Nuk di në gaboj apo jo në sjelljen time. Mos ndoshta më duhet kohë të marr vendimin e duhur?!
Prindërit janë aktorë shumë të rëndësishëm dhe përcaktues thelbësor për rritjen dhe edukimin tonë. Prindërit, në kushte normale, sikurse lexohet dhe situata juaj, kërkojnë më të mirën për fëmijën e tyre, deri dhe në sakrifica vetëmohuese. Kjo e fundit na karakterizon dhe kulturalisht, ndaj me raste, prindërit e humbasin gjatë rrugës dëshirën dhe aspiratat e vet fëmijëve, duke menduar se vetësakrifica justifikon gjithçka tjetër, dhe vet ndjenjat apo mendimet e fëmijëve të tyre.
Ju nuk jeni rasti i parë në këtë situatë, por i shumë studentëve që prej kohësh mbulojnë edukimin e tyre jashtë vendit, ku pjesa më e madhe e tyre e ndajnë si një eksperiencë unike dhe e vlefshme. Andaj të ftoj ta shikosh si një ekzigjencë e një fryme pozitive që shtyn familjen për të arritur më të mirën për ju, edhe pse për askënd nuk është e lehtë. Sigurisht, të vetëm dhe ku ju duhet të përballeni me vështirësi të cilat jo çdo ditë mund t’i ndani me familjarët tuaj. Megjithatë, jam krenare për ju që keni mësuar suksesshëm të përballeni me ato, dhe t’i zgjidhni në mënyrën tuaj. Ju kërkonit që të realizoheshit?
E ku ka rrugëtim më të mirë për t’u realizuar se të mësosh të zgjidhësh në mënyrë të pavarur jetën tuaj? KY është një hap gjigant drejt vetërealizimit. Prindërit?! Ata janë tashmë shumë krenarë për ju mendoj, ndërsa shikojnë se si përballesh me jetën tënde, se sa e zonja bëhesh çdo ditë, edhe pse malli i merr shumë.
Ju keni mësuar të jetoni me këmbët tuaja, ndaj dhe kontakti me familjen sa vjen e reduktohet, por kjo nuk do të thotë se ju nuk i doni ata apo jeni ftohur, thjesht alkimia në marrëdhëniet familjare ndryshojnë, dhe jo vetëm për ju, por për të gjithë ne. Ju e ndjeni më shumë se jeni larg, por jua siguroj që për të gjithë, ky është një stad i pranueshëm. Ju do të ‘takoheni’ sërish me familjen tuaj, pas disa vitesh, me ndjesi të tjera, ku inati apo zemërimi me ata kalojnë në të tjera dimensione e rrugëtime. Ju do të arrini me veten tuaj e me familjen në një pikë paqeje.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.