Tashmë e di, im shoq më tradhton. Kam zbuluar një sms në celularin e tij që me të vërtetë më tronditi. E njoh personin që e kishte shkruar atë sms dhe gjëja e parë që më shkoi ndërmend ishte të përballesha me të, t’i kërkoja llogari. Por mendoj se im shoq, si kushdo tjetër në vend të tij, duhet të mbajë përgjegjësi për gjërat që bën. Pra, është ai të cilit duhet t’i kërkoj llogari e askujt tjetër. Por kam më të vërtetë frikë të përballem me të. Por sikur të më thotë: çdo gjë mes nesh ka mbaruar? Unë nuk dua që të ndodhë kështu. Ndaj, jam gati të hesht e ta pranoj këtë situatë, në pritje që ajo të zgjidhet vetvetiu, duke shpresuar, në favorin tim… A është më mirë kështu?
Diana, nuk është aspak e lehtë të marrësh vesh tradhtinë e bashkëshortit. Sigurisht që kjo duhet t’ju ketë bërë të ndjeheni mjaft në ankth. Më vjen mirë që ju keni reflektuar përpara se të reagoni, kjo do të thotë që i keni dhënë rëndësi lidhjes suaj duke mos e parë situatën si të pazgjidhshme.
Nga letra juaj unë kuptoj që ju e doni shumë bashkëshortin dhe nuk dëshironi që të ndaheni prej tij, edhe pse iu ka tradhtuar. Nga ana tjetër mendoni se ai duhet të japë llogari, të mbajë përgjegjësi. Në këtë rast, është e këshillueshme që të komunikomi me partnerin, të flisni me të rreth asaj që keni marrë vesh, qetësisht, për të mund të kuptuar se sa e rëndësishme është historia që ai po jeton aktualisht.
Bëjani të ditura ndjenjat tuaja duke respektuar sa veten edhe marrëdhënien. E vërteta mund të të vrasë, por mendo se sa të vështirë do ta kesh nëse e lë historinë të vazhdojë si më parë, teksa ju heshtni. A nuk ju duket pak “mazokist” si veprim?
Reflektoni mbi këtë dhe merrni një vendim, pastaj është bashkëshorti juaj që duhet të marrë një vendim. Mos u frikësoni se mos ikën nga ju. Ajo çfarë duhet t’iu frikësojë është se mos kaloni një jetë të dyfishtë për një kohë të gjatë, ndoshta shumë të gjatë. Nëse jeni gati të qëndroni në heshtje dhe ta pranoni këtë situatë, atëherë edhe komunikimin ju sugjeroj që ta bëni duke u nisur nga ideja për ta mbrojtur lidhjen. Duke kërkuar të gjitha mundësitë për të vazhduar së bashku.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.