Posta

November 9, 2019 | 8:01

Posta nga Denata Toçe / Ime bijë sillet ashpër me djalin e vet

Jam 58 vjeç, kam një vajzë 30 dhe një nip 5-vjeçar. Po ju shkruaj, pasi besoj se imë bijë është e ashpër me të birin. E vë shpesh në pozitë të vështirë, pothuaj s’i bën kurrë dhurata, ka një durim minimal me të. Kam provuar t’i flas, (sigurisht jo në sy të të birit), por ajo e ka pritur shumë keq. Më akuzon se jam një mama që fut hundët aty ku nuk duhet. Çfarë mendoni ju? Teuta.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

E dashur,Teuta! E kuptoj shumë mirë shqetësimin tuaj. Ju me siguri jeni një grua me mjaft përvojë. Por unë do t’ju kërkoja të reflektonim bashkë në lidhje me disa aspekte të rëndësishme që mendoj se kanë lidhje me këtë problematikë.

Kujtoni veten tuaj në moshën e vajzës suaj. Ma merr mendja që edhe ju keni gabuar në mënyrën se si i keni rritur fëmijët tuaj, por me kalimin e kohës keni marrë përvojën e nevojshme për t’ia dalë mbanë. Ndaj, atë që keni nevojë t’ia thoni vajzës suaj, fillojeni duke njohur më parë gabimet tuaja.

Ju mund t’i thoni asaj se si vetë, kur keni qenë në pozicionin e saj, e keni pasur shumë të vështirë me fëmijët dhe nuk dinit gjithçka. Tregojini se si keni mësuar ose kush ju ka mësuar. Mos e dekurajoni vajzën, përkundrazi tregojini se sa mirë po ecën me edukimin e djalit.

Filloni duke i vënë në dukje aspektet pozitive. Kështu, do të shikoni që do të ndërtohen ura komunikimi dhe mund të filloni të merrni vëmendjen e vajzës. Dhe vëmendja zgjon interesin, interesi dëgjimin. Edhe nëse vajza juaj mund ta ketë të vështirë të pranojë, sërish respektojeni.

Ka gjithmonë vend për ndërgjegjësim, kur reagimi juaj i përshtatet një komunikimi asertiv.

Gjyshet kanë një rol të rëndësishëm në rritjen dhe edukimin e nipërve dhe mbesave, por aktori kryesor që duhet të jetë në qendër të edukimit të fëmijës është prindi. Historia e njerëzimit e ka treguar se kontradikta midis brezave do të ekzistojë gjithmonë, por kjo nuk ka penguar që njerëzit të çfarëdolloj brezi qofshin, të përmirësojnë sjelljet e tyre në funksion të ndërtimit të raporteve sa më të shëndetshme.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top