Posta

November 25, 2019 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Ime bijë sillet me nervozizëm

Vajza ime është 4 vjeçe dhe nuk duron të jetë e humbur në lojë, apo në çdo gjë tjetër. Nëse ajo nuk arrin të realizojë atë që do kur është duke luajtur, bëhet nervoze. Ajo që më shqetëson është fakti se bën sjellje agresive për moshën që ka. Shtrihet në tokë duke bërtitur, hedh objekte me forcë dhe kjo zgjat shumë. Ndodh edhe të na refuzojë, nëse ne u rezistojmë kërkesave dhe tekave të saj. A mund të më ndihmoni se si duhet të veproj në situata të tilla?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Kjo është një situatë shumë e zakonshme tek fëmijët sot. Më vjen mirë që më keni shkruar për këtë problematikë, pasi mund të ndihmojmë edhe shumë prindër të tjerë që ndajnë të njëjtin shqetësim me ju.

Nuk është e lehtë të kesh një fëmijë që nuk pranon humbjen, që refuzon të bashkëveprojë në rregullat e lojës, që nuk pranon të mos i plotësohet ajo që do, që nuk njeh “jo”-në si një alternativë me të cilën vetë jeta nuk do harrojë në të ardhmen që ta njohë. Por, deri atëherë, prindi nuk e di se si do ta përballojë të gjendurit në një ambient ku të qarat dhe përplasjet e këmbëve, përveçse e vënë në siklet, krijojnë dhe një ankth shumë të madh në kërkim të gjetjes së mekanizmave për të dalë nga situata.

Ju kuptoj që kjo nuk duhet të jetë një situatë shumë e lehtë. Unë kam disa pyetje të thjeshta për ju, të cilat ndoshta do t’ju ndihmojnë të kuptoni më mirë problemin në fjalë:

Kur fëmija juaj, ndoshta në një moshë pak më të vogël, kërkonte diçka që e dëshironte, ju ia plotësonit menjëherë?

Po kur kërkonte diçka tjetër që ju nuk mund t’ia plotësonit për shkak të kushteve nga më të ndryshmet, ajo fillonte duke qarë dhe ju menjëherë reagonit duke ia plotësuar?

Nëse ka ndodhur kjo, atëherë duhet të kuptoni që fëmija juaj tashmë ka përvetësuar skemën: Unë kërkoj mami/babi plotëson kërkesën. Nëse unë kërkoj mami/babi nuk e plotëson kërkesën unë qaj ose bërtas mami/ babi plotëson kërkesën Unë (me raste) pushoj = përvetësimi i skemës

së gabuar. Sa herë që do të dojë fëmija diçka, do ta kërkojë me siguri duke qarë, përplasur këmbët, agresivitet, grindje, etj. Këto sjellje do të vinë dhe do të intensifikohen nëse prindërit do të vazhdojnë të tolerojnë. Në fushën e psikologjisë së sjelljes, këto njihen si “sjellje gabim” ose “sjellje të papërshtatshme”, të cilat lipsen të eliminohen. Në këto raste është e udhës që të jeni indiferentë ndaj sjelljes.

Indiferenca nuk do të thotë të mos i jepni afeksion fëmijës, apo mungesë dashurie. Fëmija e di shumë mirë që ju e doni, dhe ju gjithashtu. Por, kjo do të thotë që ju të kontribuoni në edukimin sa më cilësor të fëmijës, që ai të zbresë me këmbë në tokë dhe të kuptojë që jo gjithçka mund të realizohet kur do ai. Në të tilla raste ju i stimuloni fëmijës sindromën e “mbretit a princeshës në familje” dhe kjo nuk është e shëndetshme për unin e tij. Andaj dhe fëmija juaj e ka shumë të vështirë të humbasë në lojë, sepse ajo është mbretëresha, dhe mbreti apo mbretëresha në këtë rast, është i pari i vendit dhe nuk mund të humbasë kollaj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top