Jam 17 vjeçe dhe jam e interesuar të lexoj revistën tuaj, pasi mund të më ndihmojë jo vetëm për t’u rritur, por edhe për të larguar një ves nga vetja (siç e quaj unë). Problemi im kryesor është dyshimi. Kam vështirësi të marr vendime dhe të dëgjoj dëshirat e mia të brendshme. Një problem i tillë më vështirëson të jetoj lirshëm dhe të kryej gjërat pa ndjesinë e pendesës më pas. Mendoj se ajo çka më mundon më shumë është mania që unë kam për ta krahasuar veten me të tjerët në çdo gjë që bëj. Si të bëj që të veproj ndryshe?
Pa dashur ju i keni kthyer përgjigje vetes suaj. Më pëlqen analiza që i keni bërë vetes dhe fakti që ju e identifikoni kaq qartë problemin. Filloni ta shikoni nga ky këndvështrim. Sigurisht që ju merrni vendime për veten, por ju dhe shumë të tjerë ngecin dhe pendohen mbi vendimet që marrin, pasi ndjehen të pasigurt kur shikojnë me syrin e tyre se sa mirë po u shkon të tjerëve vendimi që ATA kanë marrë.
Krahasimi nuk është një mekanizëm shumë fort komod për veten, edhe pse ne nuk jetojmë dot pa të, është pjesë e ambicies së njeriut. Shikojeni kështu, ne asnjëherë nuk e dimë si ndjehen dhe çfarë problemesh kanë të tjerët.
Ne asnjëherë nuk mund të kuptojmë plotësisht, mbi të gjitha mendimet e të tjerëve. Ne shpesh i gjykojmë të tjerët si më të lumtur, më të suksesshëm se ne. I shikojmë si më të pasur apo të varfër. Pra, ne mendojmë se “bari është më jeshil tek oborri i fqinjit se tek oborri ynë”. Provoni të mendoni se edhe në oborrin tuaj bari është po aq jeshil, pasi ju premtoj që secili prej nesh ka një jetë, për detaje të së cilës nuk është fort i kënaqur, ose ka probleme nga më të ndryshmet.
Gëzojuni “barit” tuaj dhe shijoni sa nuk keni shpenzuar shumë kohë duke parë barin e komshiut. Ju premtoj se do të ndjeheni më mirë. Në çdo rast zgjedhjeje, ju do të ndjeheni e penduar nëse mendoni, sikurse përshkruani më sipër, atëherë bëni një zgjedhje dhe rikthejuni pa hezituar nëse jeni e pakënaqur me zgjedhjen e bërë.
Mendoj që nuk ka asnjë gjë të keqe në këtë mes, përkundrazi, është shumë e shëndetshme të pranoni se keni gabuar. Kujdes! Mos mendoni sa herë që bëni një zgjedhje, paraprakisht se keni gabuar. Kjo i vështirëson gjërat, sepse ju po parashikoni diçka që ende nuk e keni jetuar. Jetojini zgjedhjet tuaj dhe mësoni prej tyre. P.sh, nëse keni marrë vendimin të blini një copë të kuqe për të qepur një veshje dhe jo ngjyrën blu, kënaquni me atë që keni blerë, shijojeni, jetojeni dhe, nëse kuptoni se ngjyra nuk ju shkon, herën tjetër ju keni mundësi ta ndryshoni, por jo të fajësoni veten “si nuk e kam kuptuar që në fillim”. Kjo është rraskapitëse. Unë ju mora shembullin e veprimevevendimeve të thjeshta në jetë, por e njëjta logjikë peshohet edhe për vendime më të vështira, që sigurisht peshohen më gjatë, pasi përgjegjësia rritet. Mos u merakosni për këtë gjë.
Jepini vetes kohën e duhur për të gjykuar avantazhet dhe disavantazhet dhe më pas të merrni një vendim. Mos e vini kaq shumë në diskutim veten tuaj, sepse fakti që ju dyshoni, do të thotë se jeni një person shumë i përgjegjshëm dhe ia vlen shoqëria me ju. Jam e sigurt që çdokush do të donte t’ju kishte model.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.