Përshëndetje si kaloni? Unë që po ju shkruaj jam një i ri 23-vjeçar. Duke qenë se si tip jam i mbyllur, (edhe në shkollë kështu kam qenë) tri vitet e fundit nuk dal shumë nga shtëpia. Mbarova shkollën e mesme dhe humba çdo kontakt me botën e jashtme. D.m.th. vetëm shtëpi-dyqan, ndonjëherë edhe tek dajat. Kohët e fundit mezi më dalin fjalët nga goja, nuk e di po sikur po burgosem përbrenda, sikur duket se do më paragjykojnë të gjithë dhe kam kuptuar që jam dhe gay. Më duket sikur nuk do më pranojnë, edhe pse nuk e kam bërë publike ose t’u them prindërve. Ata mbase mund të dyshojnë, por shpeshherë kam pasur dhe mendimin të bëj vetëvrasje. Sikur jam vetëm unë i tillë dhe nuk ka të tjerë. Kjo më ndodhi para një viti. Dola, e theva akullin. Fillova punë në një call center. Familja më thonë: fillo shkollën e lartë. Në fakt, kam pas mësuar, por frika nga paragjykimet më tremb të dal edhe në oborr të shtëpisë. Nuk e di por kam shumë siklet kur jemi në turma dhe frikë. Bëhem ujë në djersë nga koka, sikur të gjithë po më shohin mua. Do jua dija shumë për nder nëse më ktheni një përgjigje?
I dashur mik i mirë i revistës. Faleminderit shumë që gjetët kurajën të shkruanit në këtë rubrikë. Nuk është e lehtë të shprehesh, dhe e kuptoj shumë mirë se si ndjeheni. Ju premtoj një gjë: çdo person jashtë zonës tuaj të sigurisë, ka pasiguritë e tij. Nuk është e lehtë për askënd prej nesh të përballet me jetën jashtë, por ajo mban secilin prej nesh, me ndryshimet dhe të përbashkëtat e tyre. Ne jemi ndërtuar për të qenë të ndryshëm dhe për këtë do të jemi ngahera të paragjykuar. Është pjesë e natyrën njerëzore.
Ti i dashur person i mirë, gay ose jo gay, ke një personalitet të caktuar që ndihmon në ndërtimin e marrëdhënies, pavarësisht orientimit seksual. E kush nuk do të donte t’ju kishte pranë nëse ju jeni mbështetës, i dashur, i sinqertë, me humor, i komunikueshëm etj. Të gjitha këto janë secila cilësi mjaft të mira për të ndërtuar marrëdhënie sociale. Më siguri që secili prej nesh ka humbur diçka të mirë duke mos qenë pranë jush. Por ju duhet ta jepni këtë mundësi. Ju duhet të jeni prezentë që të gjithë të kuptojnë personin te ju dhe kjo nuk buron nga orientimi juaj seksual edhe pse paragjykimet janë rreth nesh. Çdo gjë që është asimetrike me rregullat e shoqërisë, kontrakston edhe më fort, por kjo nuk mund t’ju pengojë të jeni pjesë e kësaj jete.
Nëse keni këto vështirësi emocionale që tregoni, në këtë pikë do të ishte shumë mirë të viheshit në kontakt me një profesionist, psikolog klinicist të ndanit nevojat tuaja të cilat dukshëm çojnë edhe në një marrëdhënie të vështirë mbi të gjitha me veten, pastaj me botën. Kjo do t’ju ndihmojë të kaloni këtë situatë të vështirë që meriton të zgjidhet dhe ju të jetoni me dinjitet jetën që u është dhënë.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 139
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.