Posta

October 2, 2019 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Jam shumë xheloz

Denata ToceNga: Denata Toçe

Psikologe Këshillimi

 

 

 

 

Përshëndetje znj. Denata. Kam lexuar shpesh letrat tuaja dhe doja t’ju pyesja për disa gjëra që më shqetësojnë. Studioj në universitet dhe mendoj se jam inteligjent, i shkathët, sepse gjithmonë arrij të bëj analizën e sjelljeve të mia. Në këtë periudhë sapo jam ndarë, pas një periudhe të gjatë. Ishte një lidhje shumë serioze, por tani që jam ndarë kam kuptuar se në këtë ndarje ka ndikuar shumë fëmijëria ime. Prindërit e mi janë ndarë kur unë isha 13 vjeç. Im atë ishte shumë xheloz, e kundërta e mamasë sime, e cila është një grua e fortë. Gjithsesi, ky fakt, sigurisht që ka ndikuar në karakterin tim. Pavetëdijshëm bëhem xheloz dhe shumë posesiv.  A ‘shërohet’ xhelozia dhe posesiviteti? Shpresoj të jem shpjeguar ashtu siç duhet. Faleminderit!

 Përgjigje:Fëmijëria ndikon në formimin e personalitetit tonë, por kjo nuk do të thotë që dhe eksperienca jetike që kalojmë ndër vite nuk ka mëson një spektër të gjerë skemash se si të veprojmë në jetën e përditshme, me veten dhe me të tjerët. Fakti që prindërit tuaj janë ndarë, pa dyshim që kanë ndikuar në jetën tuaj dhe në perspektivën se si i shikoni situatat, por kujdes! Nuk është e thënë që në situatat e jetës suaj, në përfshihet mbi të gjitha e kaluara juaj me prindërit.

A mund ju të jepni arsye se përse jeni ndarë nga partnerja juaj? Është xhelozia një ndjenjë që ju e keni të lidhur me kontekstin, apo janë situata që ju e kuptoni se ndoshta po trilloni në mendjen tuaj apo po parashikoni një ngjarje që ende nuk ka ndodhur?! Këto janë pyetje që do të mund t’ju ndihmojnë të kuptoni nëse xhelozia juaj është irracionale ose racionale.

A ka arsye të tjera të cilat i identifikoni si shkaqe të ndarjes, përveç xhelozisë? Këtë pyetje jua bëj për të kuptuar më mirë situatën dhe për të mos i mbiveshur asaj nocione vicioze të së kaluar, si për të “justifikuar” shkaqet e ndodhisë. Ndoshta partneren nuk e doni më ose e kundërta. Ndoshta ju ka lënduar dhe ju nuk mund ta duroni. Ndoshta mungon komunikimi midis jush, si një aset për të kuptuar dhe mbështetur më mirë njëri-tjetrin.

Shikojini këto aspekte me prioritet. Nëse meraku juaj mbetet sërish xhelozia, e cila ju pushton dhe ju mundon në marrëdhëniet që ndërtoni, atëherë, si person analitik që e përshkruani veten, është e udhës të bëni një “stërvitje” me mendjen tuaj, duke identifikuar se cilat aspekte të xhelozisë janë reale dhe cilat janë të “trilluara”, që nuk kanë ndodhur ose parashikohen në mënyrë profetike të ndodhin. Nëse ka elementë të kësaj natyre, vlen që të mund të qetësoni veten tuaj, sa më shumë të njiheni me ato, dhe të vlerësoni të tashmen, si një mundësi për ta gëzuar marrëdhënien.

Nëse ndjenjat bëhet më të forta, deri në pengesën e funksionimit gjatë jetës së përditshme në marrëdhëniet tuaja ndërpersonale, atëherë është e udhës të mund të vazhdoni mbështetjen profesionale pranë një profesionisti të fushës, përtej letrave në redaksi. Ju uroj jetë të mbarë!

Revista Psikologjia

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top