Posta

November 4, 2019 | 8:04

Posta nga Denata Toçe / Kam humbur ekuilibrin!

 

Jam grua në moshë madhore e dashuruar. Të dy jetojmë larg njëri-tjetrit. E vuaj shumë këtë gjë. Më premton se shumë shpejt do të jemi bashkë. Të dy jemi prindër të vetëm. Një pjesë e imja beson dhe pjesa tjetër jo. Jam konfuze. Problemi është se sa herë mendoj ta mbyll si lidhje, më shkëputet zemra nga kraharori, më duket sikur po sillem si adoleshente. E urrej veten. Jam goxha e hapur dhe e rrahur mirë me jetën. Po këtu po humb. Kam nevojë për vëmendjen e tij dhe bëhem xheloze, paragjykuese dhe habitem se kjo nuk jam unë. Nuk po e ndihmoj dot veten, kam humbur ekuilibrin. Ndoshta habiteni më këto fjalë, por në mënyrë njerëzore dua të më dhuroni ndonjë këshillë? T.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

E dashur T.

Dashuria nuk njeh moshë, është një shprehje e mirëvendosur tashmë në mendjet e njerëzve. Ajo që ndryshon është mënyra jonë bazuar në përvojë. Mos u dekurajoni. Ju jeni në një marrëdhënie krejtësisht tipike. Jeni e përfshirë emocionalisht dhe xhelozia është pjesë e këtyre ndjenjave. Sigurisht që ju do të mund të përziheni në ndjenja që kërkojnë të kenë atë që duan.

Frika se mos humbisni mundësinë për të qenë pranë dikujt që e doni, është një faktor që duhet të merret në konsideratë, duke përfshirë edhe moshën tuaj. Askush nga ne nuk ka dëshirë që të përfundojë i vetëm, nevoja për të dashur dhe për t’u ndier i/e dashuruar është prioritare në jetën tonë. Janë gjithë këto arsye për t’u ndier jo e çuditshme në veprimet tuaja.

Ndërkohë, vlerësimi i lidhjes lidhur me objektivitetin e realizimit të kësaj lidhjeje është një tjetër situatë. Këtë gjë do të duhet ta shikoni me kujdes ju. Mendoni se çfarë mundësish reale ka kjo lidhje që të funksionojë dhe, mbi të gjitha, nëse veprimet e të dy juve bashkohen që kjo situatë të funksionojë.

Nëse jeni vetëm ju që po tërhiqni litarin, atëherë do të përfundoni në zhgënjimin e një lodhje të pashpërblyer dhe një loje të humbur dhe humbjen e së cilës po e përjetoni vetëm ju.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top