Nuk e di a mund të më ndihmoni dot, por besoj se do më këshilloni. Kam probleme me zërin. E kam me një ton të lartë, jo të ulët, dhe njerëzve u duket sikur bërtas dhe iu dukem e pasjellshme. Mua nuk më ngjan shumë i lartë, por më ngjan zë normal, por të tjerët më thonë që e kam shumë ton të lartë. Vërtetë kur isha e vogël bërtisja gjithmonë dhe tani më ka mbetur një zë i tillë dhe dua të ndryshoj, sepse ka shumë probleme. Sa herë që bërtas, zëri dëgjohet deri tek komshinjtë, me raste dhe në të gjithë pallatin ose rrugicën ku jetoj. Të paktën kështu më thonë. Ndërsa tonin më të ulët e kam kur dëgjohet vetëm brenda dhomës ose dhe tek dhoma më e afërt. Dua ta ndryshoj këtë gjë, por nuk di si. Të tjerët më thonë: ule volumin e zërit, por më të ulët se aq nuk ia dal dot. Zërin e lartë e kam pothuajse çdo ditë, edhe kur jam e nxehur, e lumtur, e mërzitur apo serioze, edhe kur nuk dua ta ngre zërin, përsëri më del zëri i lartë. Nuk di çfarë të bëj. Kam dhe një problem tjetër, që flas shumë shpejt dhe duhet ta përsëris dy herë fjalën që të më kuptojnë.
Përshëndetje. Ekzistojnë faktorë të ndryshëm. Mjekët e fonoakustikës mendojnë se janë të paktën katër prej tyre. Dr.Amee Shah, drejtor i laboratorit të akustikës së fjalës dhe perceptimit në Universitetin Shtetëror të Clevelandit, mendon se ato mund të jenë biologjikë, pra të lindur, patologjik, cilësi e personalitetit dhe së fundmi kulturor. Po t’i analizojmë, doktori ka të drejtë. Disa prej nesh, nga mënyra se si janë ndërtuar, e kanë zërin shumë të butë dhe me volum të ulët. Edhe ky nga ana tjetër është shqetësim. Mund të jetë diçka mekanike. Të gjithë ne kemi laring shumë unik, dhe kordat tona vokale janë të ndryshme.
Madje, ne edhe mushkëritë nuk i kemi njësoj dhe si rrjedhojë, ajri që nxjerrim dhe fusim është i ndryshëm. Sipas doktorëve, në aspektin patologjik, do të futeshin te vëllimi i zërit që lidhet ngushtë me ndryshimet në nivelin e indeve ose vibrimit të kordeve vokale. Personaliteti luan rol gjithashtu. Ka njerëz që duan të jenë në qendër të vëmendjes. Duan të kenë qendrën e protagonizmit, sikurse ka dhe nga ta që nuk arrijnë të ndjehen mirë në bashkësi sociale dhe flasin me zë të ulët. Në rastin tuaj duket se ju jeni të papërgjegjshëm për zërin e lartë deri sa të tjerët jua vënë në dukje.
Edhe kultura mund të ndikojë në mënyrën se si flitet me zë të lartë (ose me butësi). Ne kulturën ballkanase, kjo është prezente. Por, ka disa kultura të cilat parandalojnë ose pengojnë të folurit me zë të lartë, veçanërisht nëse ju jeni një grua. Në rastin tuaj, duket se faktorët janë gjenetik, ose biologjik ndaj dhe ju e keni shumë të vështirë ta kontrolloni. Sugjerimet e trajtimit të zërit të lartë, vijnë me së shumti drejt logopedisë ose më mirë, një patologjist i të folurit. Ata merren dhe me trajtimin e ndërgjegjësimit të frekuencës së zërit dhe menaxhimit të tij. Është rrugëtim që kërkon durim, pasi është më i vështirë se trajtimi i zërit të ulët.
Uroj të shkojë mirë për ju!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 144
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.