Përshëndetje e nderuar Denata. Kam kohë që jam në ankth dhe nuk mund të dal prej kësaj gjendjeje. Kam frikë se mos kur bie të fle, nuk mund të zgjohem. Më dhemb koka dhe më merren mendtë. Kam dhimbje muskulore dhe puls të lartë. Më thoni çfarë mund të bëj?
Përshëndetje. Nëse ka kohë që përjetoni situata ankthi, për më shumë se gjashtë muaj, do të duhet t’i drejtoheni një profesionisti klinik, një psikologu klinik apo/ose një psikoterapisti për të marrë ndihmën e nevojshme, pasi duket nga përshkrimi që ju tregoni në këtë letër, se keni nevojë t’i nënshtroheni një marrëdhënieje profesionale nëpërmjet fjalës. Aty do të gjeni ndihmën mbi orientimin se si do të mund të njihni burimin e shqetësimit tuaj dhe të mund të kujdeseni për të duke përftuar mekanizmat e nevojshëm për ta menaxhuar ankthin tuaj.
Janë të shumtë individët që vuajnë nga frikëra të ndryshme, dhe për të përcaktuar nëse këto frikëra janë racionale apo irracionale, nëse janë pjesë e një gjendje ankthi apo fobi, do të duhet ta zbuloni ju nëpërmjet kësaj marrëdhënie. Secili prej nesh ka burime forcash mjaft të rëndësishme dhe me vlerë te vetja, të cilat vlejnë të njihen dhe të përdoren për të kuptuar se sa të “fortë” jemi psikologjikisht, se sa shumë dhe mire mund të ushqejmë mendjen tonë me to dhe të përballojmë këto frikëra irracionale që në mënyrë vicioze mbërthejnë mendjen tonë.
Ndodh që simptomat fizike që ju përshkruani të jenë pjesë e një procesi somatizues i gjendjes emocionale që përjetoni, por është një reagim fizik normal kur trupi përgatitet për frikën që i kanoset, qoftë kjo edhe një frikë irracionale. Pra trupi përgatitet për t’u përballur me këtë frikë sikundër reagon ndaj çfarë do lloj frike tjetër.
Ndaj, nuk është rasti që ju trembeni nga këto somatizime, edhe pse janë jo shumë të këndshme ndërsa përjetohen. Kësisoj trupi lodhet ndërsa zemra rreh më shpejt, frymëmarrja rritet, sepse kërkohet më shumë oksigjen që të vërë trupin në lëvizje dhe si rrjedhojë, trupi shpenzon energjinë e mjaftueshme për të reaguar. Ndaj dhe ju ndjeheni e lodhur.
Ky përshkrim hipotetik do t’ju ndihmoni të kuptoni më mirë se pse keni këto shqetësime, por sigurisht që ju do t’ju duhet të takoheni me një profesionist klinicist për të marrë ndihmën e nevojshme. Ju uroj gjithë të mirat!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 124
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.