Posta

August 14, 2019 | 8:30

POSTA nga Denata TOÇE/ Më shqetëson diabeti i tim biri

Ka disa muaj që djali ka dalë me diabet e për këtë arsye kam lënë dhe punën ku kam punuar 10 vite aty. Nuk e di si ta kaloj këtë gjendje, më duket sikur nuk do dal asnjëherë nga kjo situatë! Çdo gjë që bëj, e shikoj, më duket zi. Nëse më ndihmoni me një përgjigje si t’ia bëj që ta kaloj këtë situatë. Ju falënderoj.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Përshëndetje i dashur prind. Më vjen keq për vështirësinë shëndetësore të djalit tuaj. E kuptoj se si ndjeheni ndërsa përballeni me një gjë të re, e cila kërkon kujdes, kërkon mjekimin e duhur dhe trajtimin apo regjimin e duhur ushqimor. Sigurisht që duke e konsideruar si një vështirësi afatgjatë, kërkon që ju të mund të ndryshoni edhe stilin e jetesës. Unë nuk e di se çfarë moshe ka djali juaj, por nëse është mjaftueshëm për të pasur autonomi praktike të shëndetshme, mendoj se sfida më e madhe është që ai të bëhet i pavarur në trajtimin e vetvetes me këto mjekime, të cilat kërkojnë një trajnim fillestar si teknik, por edhe psikoemocional po të jetë e nevojshme, duke u konsultuar me një profesionist psikolog/e.

Të kesh diabet nuk do të thotë të humbasësh fëmijën, do të thotë të përballeni me një natyrë tjetër jetese. Unë mendoj se nuk duhet ta shikoni si fatkeqësi apo si tragjedi, por si vështirësi. Me këtë vështirësi jetojnë shumë njerëz në jetën e përditshme: punojnë, shkojnë me pushime, udhëtojnë, krijojnë marrëdhënie dhe familje, sigurisht me një mbikëqyrje mjekësore po të jetë e nevojshme, pasi varet nga niveli i vështirësisë.

Por heqja dorë nga jeta juaj, puna, aktivitetet nuk ju ndihmon as ju dhe mbi të gjitha as djalin tuaj. Ai ka nevojë të mendojë se është si të gjithë të tjerët dhe jeta vazhdon normalisht. Sepse ai është si të tjerët dhe jeta do të duhet të vazhdojë në rutinën e saj. Pa diskutim stili i jetesës me një regjim tjetër do të ndryshojë, por ju duhet të jepni modelin që jeta nuk ka pse të ndalojë. Unë mendoj që ju duhet të rifilloni të punoni dhe t’i kushtoni kohë djalit tuaj aq sa nevojitet, pasi duke i qëndruar edhe në kohë që është e panevojshme nuk është se mund ta ndihmoni më shumë. Dhe mos harroni, në familjen tuaj ka edhe të tjerë që kanë përgjegjësinë për t’i qëndruar pranë. Sakrifica për të lënë punën nuk ju bën nënë më të “mirë” apo më të “keqe.” Ju tashmë jeni një nënë shumë e mirë me ikjen ose jo nga puna. Kurajo!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 140

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top