Kam dy mikesha me të cilat njihemi prej 10 vitesh dhe ndihemi mirë së bashku. Por kohët e fundit kam marrë vesh se ato kanë shkuar disa herë në kinema pa më ftuar mua. Njëra ma justifikoi, duke me thënë se kishin menduar se filmi nuk do të më kishte pëlqyer. Por ato duhet të më kishin pyetur më parë. Nuk mund ta pranoj që mikeshat e mia më të mira të më përjashtojnë në këtë mënyrë. Si të veproj, të tregohem e hapur me to?
Në çdo ditë ndërtojmë raporte të përkohshme ose të përhershme. Në këto raporte, tek secili prej individëve gjejmë gjëra të përbashkëta, që na pëlqejnë dhe kemi pritshmëri të mendojmë se edhe tjetri gjen tek ne të njëjtat gjëra. Por, në fakt, jo gjithmonë ndodh kështu.
Ne nuk mund ta dimë asnjëherë çfarë mendojnë të tjerët për ne, madje edhe miqtë tanë më të dashur. Veprimet e tyre flasin shumë. Në këtë rast, veprimet e mikeshave tuaja duhet tashmë të të kenë treguar diçka në raport me marrëdhënien që ato kanë me ty.
Sigurisht, e udhës është që të flasësh, të komunikosh me to. Më pëlqeu që letrën e kishit përfunduar duke pyetur me një mënyrë që unë personalisht e preferoj. Të jesh e hapur, do të thotë t’i krijosh mundësinë vetvetes të kuptosh diçka nga miqësia juaj. Ju mund të komunikoni duke u shprehur shqetësimin tuaj mikeshave, duke u kërkuar atyre që të jenë po aq të drejtpërdrejta.
Kujdes: Mundohu të mos i akuzosh shoqet, pasi ju nuk mund t’i dini ende arsyet e vërteta përse janë sjellë ashtu. Akuzat do ta pengonin komunikimin asertiv dhe produktiv.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.