Përshëndetje, më nevojitet ndihma juaj. Jam një adoleshente, por jam shumë nervoze, hidhërohem për gjëra koti. Të gjithë miqtë që i dua, kalon një kohë dhe më “braktisin”. Lidhem aq shumë me ta, por pas një kohe askush nuk më shkruan. Mendoj dhe kam mungesë të prindërve dhe miqve. Ju lutem më këshilloni.
Përshëndetje e dashur. Sa mirë që keni shkruar një letër pranë kësaj redaksie. Kështu do të kem mundësinë që të jem unë një nga mikeshat e tua, sikur të kisha qenë 20 vite përpara. Sepse adoleshentët kanë disa gjëra të përbashkëta: pyetja e madhe se “kush jam unë”, e cila i vendos në dëshpërim hera-herës në raport me veten dhe me shoqërinë; ndërtimi i marrëdhënieve sociale dhe pozicioni i tyre në këtë marrëdhënie dhe raportet me seksin e kundërt, vetëvlerësimi në raport me suksesin e tyre.
Në këto kushte, është natyrale të ndjeheni e pasigurt se ndoshta miqtë që krijoni mund të mos jenë të qëndrueshëm dhe mbi të gjitha të mos jenë ata që prisnit. Ndaj, do të duhet të punoni me pritshmëritë tuaja. A janë ato të ndërtuara në mënyrë realiste? A janë ato të drejtuara qartësisht pranë natyrës suaj?
Në adoleshencë ne duam të kemi këtë raport me dominancën e botës sociale, të ndjehemi të vlefshëm dhe të identifikohemi me grupin. Shumë prej nesh duam të jemi pranë atij grupi. Është “cool”, “in” ai grupi, ke qejf të dukesh sepse janë të “suksesshëm” me femrat apo meshkujt. Por, por të vini re me kujdes, nuk e di nëse ky grup arrin të përputhet me parimet dhe qetësisht me siguritë tuaja.
Këto grupe mund të jenë të lezetshëm përkohësisht, por nuk kanë prirje të jenë të qëndrueshëm, ose ndonjëherë futen tek ato grupe të cilat nuk rriten si personalisht, pra secili anëtar, si edhe në grup. Kështu është shumë e rëndësishme të kuptoni vlerat, qëllimet, arsyet dhe dëshirat tuaja, përpara se të ndërtoni pritshmëri. Dhe mos harroni, “tjetri” është i përkohshëm në jetën tuaj, sidomos në këtë moshë.
Marrëdhëniet fillojnë dhe bëhen më të qëndrueshme me kalimin e moshës dhe më pas selektive, pra miqtë janë cilësisht më të qëndrueshëm, por në sasi më të paktë, pasi edhe ju, nga eksperienca jetike keni mësuar se jo çdokush mund të jetë miku juaj. Është e rëndësishme të kuptoni se cili prej tyre ju meriton, pasi kjo është pjesa më me vlerë: ju meritoni të jeni dikush dhe çdokush do të duhet t’ju vlerësojë për atë çka e vlerësoni vetveten.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 139
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.