Posta

June 15, 2019 | 8:04

POSTA nga Denata TOÇE / Nipi do Ipad-in jo librat

Përshëndetje e nderuar psikologe Denata. Jam shumë e kënaqur me mendimet tuaja si psikologe. Dëshiroj të ndaj me ju se, nipi im nuk mëson dhe nuk ka asnjë interes për to. Luan vetëm me Ipad dhe nuk ka asnjë interes tjetër. Shkon në shkollë dhe luan me shokët në pjesën më të madhe të kohës. Nuk dëshiron të marrë asnjë përgjegjësi. Nuk i bën përshtypje që nuk mëson dhe ka nota të këqija në krahasim me shokët. Klasa e para është e rëndësishme dhe kërkoj një këshillë ju lutem.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Përshëndetje. Faleminderit shumë për vlerësimin tuaj. Në këtë pikë, dua t’ju them se të gjithë fëmijët janë të ekspozuar ndaj pajisjeve elektronike. Nuk mund të bëhet shumë për ta ndaluar këtë epokë që tashmë ka hyrë mes nesh, por mund të parandalojmë që kjo të bëhet pjesë varësie te fëmijët. Unë mendoj se ne e kemi shumë të vështirë të shikojmë fëmijët tanë që të mërziten. Ky është armiku më i madh.

Në vend që të mendoni se si të argëtoni fëmijën tuaj, apo se si ta bëni që të jetë i lumtur, mendoni se si ta bëni që fëmija të përjetojë edhe mërzitjen, mendoni se si ai të tregojë që është edhe i/e mërzitur ndonjëherë. Ju mund të vendosni rregulla mbi mbajtjen e ipadit. Një kohë të reduktuar. Mendoni tashmë që nipi do të mërzitet për këtë ndryshim. Sigurisht këtë ndryshim do të duhet ta sjellë nëna e tij dhe jo juve. 

Edhe nëse nipi do të mërzitet, do të duhet t’i kujtoni nënës apo prindërve që kjo është fazë e rëndësishme pasi prej tij është larguar diçka që nuk është jetike për të. Ai mund të qajë, mund të grindet, madje mund të bëhet edhe agresiv. Mendoni se si të krijoni së bashku aktivitete të tjera, por jo domosdoshmërisht ta kënaqni, me patjetër.

Filloni nga këto ndryshime dhe më pas me ecurinë në shkollë. Fëmija në këtë moshë ka nevojë të ndjehet i suksesshëm. Mendoni si të rrisni suksesin e tij. Ndoshta ka nevojë për ndihmë te pjesa e mësimeve, dikë që ta motivojë dhe jo t’i kujtojë çdo ditë se sa dobët ka qenë me mësime. Filloni me gjërat që i pëlqejnë në shkollë dhe më pas me ato që i ka tashmë shumë të vështira. Ndoshta aty do të donte diçka më profesionale, mbase një asistent ndihmës për mësimet, dhe më pas të largohej kur fillonte të shikonte se ka arritur pavarësinë e duhur. Suksese!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 138

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top