Jam 19 vjeç dhe kam një shqetësim që vitet e fundit e kam vënë re gjithnjë e më shumë tek vetja ime. Nuk arrij t’i përfundoj gjërat ashtu si duhet. Nis diçka dhe nuk e çoj deri në fund. Kam 2 muaj që frekuentoj sport, por prej disa ditësh nuk kam më kënaqësi të shkoj të stërvitem. Edhe në njohjet sentimentale nuk arrij të jem konstante dhe bëhem shkak për t’i përfunduar lidhjet… Ndoshta, arsyeja është babai: ai na braktisi mua dhe nënën time për një grua tjetër…
Ana janë dy problematikat që më ke paraqitur në këtë letër: 1. Nuk arrin t’i çosh gjërat që nis deri në fund 2. Babai të ka braktisur.Janë dy shqetësime që ju keni menduar se kanë lidhje me njëra-tjetrën. Mbase keni të drejtë. Vështirësitë familjare të kësaj natyre rrisin nivelin e stresit, mund të shkaktojnë vështirësi në funksionim, në përshtatje, në përqendrim, në gjendjen psiko-emocionale, etj.
Një gjendje emocionale e ulët, të bën shpesh t’i shohësh vështirësitë e jetës së përditshme më të mëdha seç janë. Kjo mund t’ju pengojë të realizoni qëllimet që i keni vënë vetes, ngase “ndryshoni mendje” në lidhje me to.
Ju pëlqen kaq shumë ajo çka ndërmerrni, por fakti që nuk e çoni deri në fund – dhe kjo nuk përputhet me standardet e tua në mënyrën sesi “duhet” apo “nuk duhet” të bëhet diçka – ju bën të vlerësoni edhe më pak veten tuaj. Ndonjëherë ne përpiqemi të rrisim vetëvlerësimin tonë me arritjet që “DUHET” të kemi.
Unë ju kujtoj se nuk jeni vetëm kaq. Mund të ketë shumë gjëra që ju dëshironi ose DONI të bëni, përtej asaj çfarë DUHET të bëni. Mësoni gjithashtu se jo të gjitha gjërat arrijmë t’i përfundojmë sipas standardeve që i vendosim vetes. E fundja, ka shumë prej këtyre gjërave që fillimisht na tërheqin dhe gjatë rrugës ndërrojmë mëndje.
Thonë se vetëm njerëzit pa mend nuk ndërrojnë mendje. Ju kuptoj pse braktisja e babait tuaj ju ka lënduar, por për këtë ju nuk keni faj. Kjo është një zgjedhje e menduar nga babai juaj, e cila ka pasojat e veta, qofshin këto pozitive apo negative. Për këtë ju keni në dorë të bëni shumë pak.
E rëndësishme është të kuptoni se nuk është dashuria që ka për ty ose mungesa e saj, që e ka bërë babanë të largohet, e dashur. Mund të jenë arsye të tjera, të cilat, nga eksperienca disavjeçare me ndarjet, mendoj se burojnë drejtpërdrejt prej prindërve tuaj. Çështja në fjalë u takon mbi të gjitha atyre, që të menaxhohet nga vetë ata. Ju ndërkohë kuptoni se nuk ka prind që nuk e do fëmijën.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.