Posta

November 7, 2019 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Nuk arrij të shpreh ndjenjat

 

Jam 18 vjeç dhe kam frikë se mos e humbas të dashurin: kam kuptuar se nuk jam e zonja të shpreh ndjenjat e mia, qoftë ato negative apo ato pozitive. Nga çfarë shoh përreth, çiftet e tjera më duken më të lumtur dhe fjalët që i përcjellin njëri-tjetrit janë fjalë dashurie. Mua nuk e di nga më vjen ngurimi për t’u shprehur… Në fakt edhe në familjen time nuk e shprehim dashurinë me fjalë të bukura apo me veprime, përqafime, puthje etj. A është kjo një arsye për të justifikuar sjelljen time?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

E dashur lexuese, familja luan një rol të rëndësishëm në personalitetin tonë. Ato çfarë mësojmë prej prindërve, i pasqyrojmë dukshëm në atë çfarë jemi sot. Ato çka do t’ju sugjeroj janë disa elementë orientues për ju.

Shumë njerëz janë të ndryshëm në përbërjen e personalitetit të tyre. Por, ndër këta “shumë”, veçohen kategoritë që i përkasin, si p.sh: flegmatikë, introvertë apo sanguinë, ekstrovertë, apo melankolikë etj.

Shumë prej nesh i shprehin emocionet, ndjenjat, madje dhe ngjarjet më të rëndomta në dukje, shumë haptazi. Disa të tjerë janë më të përmbajtur, të tërhequr, të ndrojtur.

Njeriu shpesh priret të dëshirojë atë që nuk e ka. Kjo është e natyrshme. Disa duan t’i kenë flokët kaçurrelë se i kanë shumë të drejtë, ndërsa të tjerë të drejtë se i kanë shumë kaçurrelë. Më ka rënë rasti të takoj individë, që më shprehin se do të donin të ishin më të përmbajtur në mënyrën se si i shprehin ndjenjat e tyre. E ka nga ata, si puna juaj, që kërkojnë të jenë më të hapur.

Sigurisht që secili prej jush, mbi të gjitha, meriton të jetë i lumtur me jetën që ka, andaj dhe ia vlen të kërkosh atë që mendon se është më e mira.

Fillimisht është e rëndësishme që të njihni vetveten: kuptoni arsyet pse e keni kaq të vështirë t’i shprehni ndjenjat: Ndoshta nga frika e konfliktit? Trembeni se mos të tjerët përfitojnë nga ajo që do të marrin vesh? Mos ndoshta jeni shumë perfeksioniste emocionalisht, kërkoni të jeni përherë në lartësinë e duhur? Mos keni frikë nga refuzimi, sikurse shpreheni dhe në letrën tuaj: “kam frikë se mos humbas të dashurin”? Apo mos ndoshta jeni shumë e preokupuar se çfarë do të mendojnë të tjerët kur të shprehni emocionet?

Në të gjitha rastet, jeni fokusuar tek të tjerët, duke humbur veten.

Ju keni temperamentin tuaj dhe për këtë njerëzit duhet t’ju duan. Ngrijeni kokën lart, shprehni atë që mendoni (nëse nuk doni, mos e bëni). Nëse nuk doni të shpreheni me fjalë me gjeste, shkruani një letër… dërgojini mesazhe partnerit tuaj… shkoni në një vend më privat dhe intim për ta puthur dhe përkëdhelur. Fundja, provoni të jeni vetvetja dhe jo ajo atë që të tjerët presin nga ju. Mbani mend një gjë: jo gjithmonë janë të lumtur ata që në dukje janë të lumtur.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top