Posta

March 6, 2019 | 8:45

POSTA nga Denata TOÇE / Nuk kam shoqe të vërteta…Shikoni me prioritet dëshirat që keni për të qenë e shoqërueshme me të tjerët

Jam 16 vjeçe dhe mbarova vitin e parë të gjimnazit, por ndryshe nga moshataret e mia, nuk kam asnjë shoqe të vërtetë, nuk kam më kë të flas për problemet e mia, nuk përshtatem dot, sepse shoqet e mia të klasës i pëlqejnë të vishen dhe të dalin për kafe dhe janë shumë të shoqërueshme me njëra-tjetrën, madje flasin dhe me çuna, ndërsa unë jam tip i ndrojtur. Kështu ato nuk flasin me mua, nuk përpiqen të më afrojnë, nuk kujtohen asnjëherë për mua, më shmangin, madje gjejnë justifikime kur u kërkoj ndihmë. Nuk e di kush e ka gabim këtu, sepse ato me njëra-tjetrën sillen shumë mirë, apo e kam unë gabim që pres të vijnë të tjerët, tek mua. Ato mendojnë se jam tip i mbyllur dhe dua të rri vetëm. Përpiqem të ndryshoj, të bëhem si ato që të përshtatem, por nuk mundem. Këtë problem e kam që në fëmijëri, por dua ta ndreq dhe të përshtatem me to, sepse thonë që shoqëria e gjimnazit është më e bukur, mund të më ndihmoni?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Përshëndetje e dashur lexuese. Ju i quani këto shoqet tuaja? Nëse dikush nuk është i interesuar për atë se çfarë thoni apo bëni ju, se çfarë dëshirash dhe nevojash keni, çfarë tipi dhe natyre jeni, atëherë mendoj se nuk janë shoqet e duhura për ju. Secili prej nesh ka dëshira nga më të ndryshmet, por do të duhet të përshtatet me ato të cilat i shikon realisht të mundshme. Pra, ju do të duhet t’ju kërkohet të jeni objektiv në raport me natyrën që keni dhe të përshtateni me vlerat dhe parimet që keni ndërtuar; nëse nuk doni të dilni, të visheni si ato, të flasësh për djemtë sikurse ato bëjnë, kjo nuk ju vendos në gabim apo në diçka problematike, përkundrazi.

Ju do të duhet të kuptoni se natyra dhe jeta juaj ka të tjera pritshmëri dhe çdo zgjedhje e një natyre tjetër bie ndesh me ju dhe këto parime që keni ndërtuar deri tani. Sigurisht që njeriu do të duhet të përshtatet sepse kjo është natyra e tij, të jetë social dhe të konformohet. Por konformizmi do të duhet të jetë i atillë që të mos cenojë veten tuaj. Shikoni me prioritet dëshirat që keni për të qenë e shoqërueshme me të tjerët, çfarë do t’ju bashkonte me të tjerët dhe filloni të kërkoni miqësitë që doni të keni pranë, jo ata që DUHET për të qenë pjesë e klisheve sociale.

Bota është e ndarë me njerëz që na duan, por edhe me ata që nuk do të na duan, por kjo nuk duhet të na pengojë madje as dhe të gjykojmë ata që nuk na kanë shumë për zemër. Në do të duhet të gjejmë aty ku mund të jemi të domosdoshëm për të plotësuar puzzle-in e miqësisë.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 135

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top