Përshëndetje! Kam vuajtur prej vitesh nga depresioni dhe ankthi i rëndë, derisa ndryshova degën në fakultet. Por akoma nuk kam gjetur veten. Gjithmonë mendoj që unë do të jem një nga ata persona që nuk do t’ia dalë. Edhe pse nuk kam hequr dorë nga shkolla, përsëri frikësohem se do ta humbas shkollën dhe do të më kërcënojë gjatë papunësia. Miqtë më qëndrojnë pranë, por unë mendoj vetëm të keqen. E humb durimin kur debatoj me personat e familjes. Më ndihmoni sepse kam provuar shumë terapi ndihmëse, por nuk gjej dot qetësi. Faleminderit!
Frika është një prej ndjenjave më të rëndësishme që njeriu ka. Në fund të fundit, është e vetmja ndjenjë që na mobilizon ne të përballemi me rreziqet. Po ta shikojmë në këtë këndvështrim, do të shikonim me një tjetër sy mendimet tona, por mbi të gjitha reagimet tona fizike. Kur trupi përballet me një stresor të caktuar, me një ngjarje të caktuar, atëherë kjo situatë mund të krijojë ankth për shkak të përmbajtjes së saj. Nëse unë kam frikë nga qeni, atëherë kur ky i fundit të afrohet, zemra ime do të rrahë shpejt, do të pompojë më shumë gjak, do kem nevojë për më shumë oksigjen, ndaj do të duhet të marr frymë më thellë dhe më shpejt, etj.
Për shkak të këtyre ndryshimeve në trup, ky i fundit është në gjendje që të luftojë ose të largohet me vrap. Mendja luan rol të japë komandat sipas rrezikut të perceptuar. Ankthi është një frikë nga diçka e panjohur, por e lidhur ngushtë me mendimet, të cilat mund të jenë edhe irracionale nga natyra, por që trupit i japin të njëjtën komandë. Por trupi nuk di se çfarë të bëjë: luftë apo ikje. Të iki nga çfarë? Të luftojë, me kë? Kështu, këtë stres e mbars trupi juaj dhe pastaj mendja, dhe krijohet një rreth vicioz, i cili vazhdon të përshkruaj mendjen duke krijuar edhe deprimim, luhatje të humorit.
Një gjë është tashmë e vërtetuar se, askush nuk ka vdekur prej simptomave të ankthit. Ju kuptoj shumë mirë kur thoni se intensiteti i tij ju ka penguar të ecni përpara me shkollën, por pyetja ime është: a jeni duke bërë shkollën që dëshironi? Apo jeni duke ndjekur një shkollë e cila nuk ju përshtatet, por që në fund të ditës mendoni se ka shumë më tepër mundësi t’ju ofrojë punë?
Kjo është e rëndësishme të analizohet, pasi do të vazhdojnë sërisht dilemat e shkollës, se fajin e ka me siguri ankthi, por unë mendoj se ankthi ka mundësi shumë të mira menaxhimi, kurse koha me zhvillimin e shkollës, ikën shumë shpejt. Ju do të duhet të kontaktoni me një terapist CBT për të vazhduar rrugëtimin drejt menaxhimit të ankthit. Kjo është rruga më e mirë për të vazhduar dhe jetuar të përditshmen.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 149
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.