Posta

October 7, 2019 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Nuk po e njoh më burrin tim

Denata ToceNga: Denata Toçe

Psikologe Këshillimi

 

 

 

 

 

 

Kam nevojë ta ndaj me ju këtë stres që po kaloj. Kam tri vjet e martuar. Një herë im shoq kthehet në shtëpi nja dy orë me vonesë në mbrëmje. E pyes me ton normal se përse u kthye vonë dhe aty shpërtheu gjithçka. Nuk më la gjë pa thënë të tipit: unë bëj çfarë të dua, vij kur të dua, sepse punoj gjithë ditën, e më pas më ngriti dorë duke më qëlluar e më thënë të ikja nga shtëpia. Theksoj që vetmja përgjigje që i kam kthyer, ishte të të vijë turp nga vetja. Ai shkoi të flinte. Unë nuk e di si e gdhiva atë natë. Kaluan dhjetë ditë dhe ai as që më kish kuptuar dhe jo më të ndryshonte qëndrim. Me indiferentizëm përballet me mua. Nuk di çfarë të mendoj, por në këto momente si nënë, pastaj si grua.

Përgjigje: Këto janë situata të cilat nuk e kanë fillimin e vështirësisë që ju keni në marrëdhënie vetëm duke u nisur nga ky episod. Do të duhet t’i hidhet një vështrim i kujdesshëm i të gjithë marrëdhënies suaj. Do të duhet të shikoni se si i keni marrëdhëniet e komunikimit së bashku, sa kohë kaloni duke diskutuar planet e përbashkëta, si kontribuoni që të ndani kohë vetëm për vetëm me njëri-tjetrin dhe nëse kjo ndodh si e planifikoni atë?

Të gjithë këto pyetje dhe shumë të tjera janë të rëndësishme për të kuptuar marrëdhënien tuaj në tërësi dhe jo vetëm episodin në fjalë. Një partner i cili kryen në reagim ekstrem të kësaj natyre, mund të jetë pjesë shumë problemeve individuale, të cilat i zhvendos tek të tjerët, të afërm, pjesë e një stresi në punë, pjesë e një dileme afektive me dikë tjetër, pjesë e një humbje, etj. Të gjitha këto sjellin shqetësime me veten dhe të afërmit.

Kjo e imja është një hipotezë, por vlen si një hyrje për të reflektuar ndërsa qaseni në komunikim me bashkëshortin tuaj. Kur vendoseni në proces komunikimi, është e udhës që të mos niseni me pyetjen “PSE?” Është një pyetje paragjykuese dhe ndonjëherë shkakton agresivitet në komunikim. Ndonjëherë edhe vet ne nuk e dimë PSE i bëjmë disa sjellje. Po sikur ta filloni me shprehjen e ndjenjave të tua për të: u bëra merak për ty mbrëmë. Pashë që erdhe shumë vonë, mendova se të kishte ndodhur diçka. Je mirë? Më dukesh i distancuar këto kohë. A shkon çdo gjë mirë? etj. Interesi i drejtpërdrejtë rreth asaj se si ndjehet ai, meraku qe keni për të etj., është një mënyrë për të hapur urën e komunikimit dhe më pas për të diskutuar rreth probleme të tjera.

Revista Psikologjia

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top