Prej kohësh më mundon ideja e përshtatjes së djalit në shkollë. Ai është fëmijë autik dhe siç e thotë rregullorja e MASH, shoqërizimi i tyre në klasa normale është tejet i nevojshëm. Shqetësimi im vjen nga komuniteti i nxënësve të cilët e fyejnë gjatë mësimit. E kam ngritur si problem, por mesa duket etika nuk ua lejon atyre fëmijëve të përshtaten me këtë fenomen. Mos duhet t’ia ndërroj shkollën apo klasën djalit, në të kundërt si të gjej një zgjidhje të mesme?
Unë vet merrem çdo ditë me fëmijë autikë, pasi ky është dhe profesioni im primar. Ju falënderoj që më keni shkruar, pasi këtë shqetësim e kanë sjellë shumë nëna tek unë. Prindërit me fëmijë autikë, janë heronj çdo ditë. I shpëtojnë jetën fëmijës së tyre gjatë gjithë kohës, pasi ata e kanë thuajse të pamundur ta drejtojnë jetën e tyre. E sikur të mos mjaftonte kjo, shoqëria luan shumë pak rol në ndërgjegjësimin për t’i mbështetur këta fëmijë. Nuk kërkohet shumë në fakt.
Tashmë prindërit paguajnë, sigurojnë me sakrifica gjithçka për fëmijën që ai të mund të marrë mbështetjen dhe trajtimin e duhur. Nëse nuk kemi me pak vëmendje mbështetjen dhe të prindërve me fëmijë tipik, të udhëzojnë dhe informojnë fëmijët e tyre, që të mund të krijojnë ura ndihme për fëmijët me autizëm, në kopsht, klasë apo dhe në ambiente të tjera sociale, atëherë vështirësia e prindërve si ju rritet akoma më shumë.
Ah, sa ju kam në mendje e në zemër, e ju kuptoj plotësisht kur më shkruani këto fjalë. Stigma ndaj këtyre fëmijëve vazhdon, edhe pse tashmë shoqëria jonë ka dëgjuar për autizmin. Unë ju inkurajoj që të vendosni një person mbështetës pranë fëmijës, për të siguruar kështu mundësinë e tranzicioneve si këto të amortizohen me kujdes.
Pjesa e mbetur është fatkeqësisht një fenomen i cili do të duhet ta menaxhoni, së bashku me prindërit e tjerë. Të mund të bashkoheni dhe të krijoni mundësi lobimi për të ndërgjegjësuar pjesën tjetër të shoqërisë. Kjo është një detyrë, ky është një mision që na takon të gjithëve. Kështu fëmijët tuaj nuk kanë pse të ndërrojnë shkolla e kopshte vazhdimisht dhe nuk kanë pse pa të drejtë, të mos i frekuentojnë ato.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.