Jam një prind që më shqetëson së tepërmi marrja e mjeteve teknologjike në klasë. Shpesh dëgjoj në takimet me prindër që fëmijët marrin në çantë tabletet, ipad e kështu me radhë, mjete të cilat tërheqin vëmendjen gjatë orëve të mësimit, ndërsa mësuesit nuk menaxhojnë dot lëndët. Nuk dimë se si duhet të reagojmë në kësi situatash në si prindër, duke ngatërruar orët e lira me mësimdhënien. Çfarë duhet të bëjmë konkretisht për t’ua sugjeruar dhe atyre në takimet e radhës?
Mjetet teknologjike nuk duhet të lejohen gjatë orës së mësimit. Jam plotësisht dakord me ju. Ju keni mundësi t’ia komunikoni këtë shqetësim mësueses së bashku me prindërit e tjerë në mbledhjen e radhës. Sigurisht që do të kesh rezistencë në ndërmarrjen e vendimeve mbi këtë çështje, por ju mund të sillni në mbledhje shembuj të shkollave të ndryshme publike në botë, rregulloret të cilat ato mbartin, të cilat ndihmojnë në menaxhimin e situatave të këtilla.
Shpeshherë prindërit nxitohen të blejnë afeksionin e fëmijës duke i pajisur me mjete të shtrenjta teknologjike. Ato janë të rëndësishme, por duhet të menaxhohen në kohë dhe në vendin e duhur. Nga studimet e kryera, mjetet teknologjie për sa kohë nuk janë temë e orës mësimit, për fëmijët e mitur janë një burim shpërqendrimi që ndikon në arritjet akademike të fëmijës.
Ndërsa ato mund të jenë pjesë e procesit mësimor, janë një burim shumë i mirë informacioni dhe rritjes të zotërimit të aftësive bashkëkohore. Kontrolli racional i teknologjisë tek fëmijët është sot forma më e mirë edukuese për këta të fundit. Burimi i këtij kontrolli, vjen qartazi nga faktorët socializues, të cilët në bashkëpunim marrin vendime dhe veprojnë drejt në të ardhmen e fëmijëve të tyre.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.