Nga:Denata Toçe
Psikologe Këshillimi
Kam një vit me të dashur dhe prej 6 muajsh jetojmë bashkë. Një mbrëmje, po kërkoja një mesazh që i kisha nisur, dhe pashë mesazhin nga një tjetër vajzë. Kjo ndodhi në periudhën që ne jemi të lidhur me njëri-tjetrin. Më pas, pashë se ai i kishte nisur foto intime një tjetër vajze, pothuajse në të njëjtën periudhë. Dua të qaj gjithë kohën. Ndihem keq, pasi jam dhe 10 javësh shtatzënë. Çfarë duhet të bëj?
Përgjigje: Më vjen vërtet keq që gjendeni në një situatë si kjo. Në radhë të parë duhet të mblidhni veten dhe mbi të gjitha të kuptoni që faji nuk është i juaji. Jam e gëzuar për ju që jeni shtatzënë edhe pse në rrethana jo shumë të favorshme për ju. Merrni zemër, fshini lotët dhe komunikoni me partnerin tuaj. Tregojini të vërtetën e asaj që keni marrë vesh dhe se ju besoni që ka ndodhur. Mund t’i jepni mundësinë dhe kohën për të dhënë shpjegimet e tij, por mbi të gjitha mos harroni të mbani besimin në parimet tuaja.
Gëzimi është mjaftueshëm i madh për të qenë një nënë, edhe pse mund të mos keni shoqërinë e partnerit tuaj, por të të afërmve me siguri që po. Uroj që ju të jeni bashkë dhe partneri juaj të reflektojë në zgjedhjet e tij të ardhshme, por nuk mund të zgjidhni ndonjë gjë të madhe duke derdhur lot mbi çfarë keni zbuluar, por duke u orientuar drejt komunikimit.
Urime për shtatzëninë dhe suksese për të ardhmen!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.