Jam Altini. Këtë periudhë po dal nga një marrëdhënie sentimentale, e cila ishte shumë e bukur në fillim, tre vjet më parë. Por, përfundoi e shkatërruar për fatin tim të mirë. E përjetova jo keq dhe, në pak kohë, e kam kaluar atë fazën e qurravitjeve e të mallit dhe e kam pranuar realitetin pa e konsideruar të gjithë këtë ndarje të trishtë. Më ka mbetur vetëm pengesa e fundit për t’u kaluar. Të shkoj të marr gjërat e mia, në shtëpinë ku jetonim bashkë. Dhe janë shumë gjëra. Me ish të dashurën kam kaluar një periudhë shumë aktive, kemi ndarë së bashku kinema, muze, shfaqje, koncerte, fundjava në vende të afërta, udhëtime të largëta, përvoja të jashtëzakonshme. Në tre vjet me të kam bërë shumë më tepër gjëra se sa kam bërë në 25 vitet e mëparshme të jetës sime. Problemi është që ka qenë gjithmonë ajo që merrte iniciativën, propozonte, vendoste, organizonte. Dhe kam rënë pre e dembelizmit dhe rrëmujës në veten time.

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi
Nga personat, të cilët janë pjesë e jetës sonë, ne mësojmë shumë gjëra të mira, të këqija qofshin ato. Fatmirësisht, ne priremi sipas karakterit tonë, të mësojmë gjërat e mira, të bukura, ato që na tërheqin më shumë. Kur bëhet fjalë për partnerin intim, dëshira për t’i ngjasuar është e madhe kur na tërheq karakteri i këtij të fundit. Madje, nëse e keni vënë re, ne fillojmë edhe të flasim si ata.
Nuk ka asnjë gjë jo të zakontë në këtë fenomen. Ju jeni ndarë nga partnerja juaj, por jo nga përvoja e jetës suaj. Bashkë me lidhjen dhe ndarjen ju jeni tjetër njeri tashmë, i ndryshuar, ku keni mësuar shumë gjëra. Shfrytëzojini këto mësime, këtë eksperiencë për veten tuaj dhe me të tjerë pa hezitim. Kjo është pjesë e juaja tashmë dhe nuk keni pse të ndaheni edhe prej saj.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.