Përballë agresivitetit që të tjerët më vënë përpara, edhe nëse bëhet fjalë për bashkëshortin, djalin apo prindërit apo miqtë, unë mbyllem dhe nuk arrij të reagoj deri në momentin që mbushet kupa. Dhe nuk mbaj më: atëherë i hedh pas shpine të gjithë dhe gjithçka, e largohem për disa ditë. A duhet të ketë ndonjë mënyrë që të mësoj t’u përgjigjem të tjerëve pa u ndjerë vetë kaq keq?
Sa herë dëgjoj klientët e mi, të duan të ndryshojnë nga ata që janë sepse e shikojnë veten e tyre shumë të dobët dhe më të dështuar se të tjerët. Gjithnjë i bëj një pyetje: Cilët janë ata TË TJERËT të cilët paskan në jetë më të mirë duke qenë ndryshe nga ju? Të gjithë ne kemi disa karakteristika të personalitetit tonë të cilat na bëjnë të jemi unik ndaj njëri-tjetrit. Shumë prej nesh e kanë reagimin e tyre ndaj një agresiviteti verbal në familje, ndryshe ne themi “grindje”, me zë të lartë, duke u kapur majë për majë. Disa të tjerë, si ju, tërhiqen qetësisht derisa mbushet kupa. Kjo nuk do të thotë se ju nuk keni komunikuar asnjë gjë me veprimin tuaj, përkundrazi.
Largimi juaj tregon zemërim, se nuk jeni dakord me veprimet e partnerit apo të personave të tjerë me të cilët përballeni. Sigurisht që ju keni folur, por në mënyrën tuaj më të thjeshtë që njihni, të silleni vetvetja. Ju nuk mund të jeni ata që nuk jeni. Nëse kërkoni të bëni një përpjekje, provojeni të flisni me njerëzit tuaj të dashur, për agresivitetin që ndodh. Kështu ju keni mundësi të thoni atë që mendoni në një moment më të qetë pas disa orësh.
Jam e bindur se edhe ata që do ju dëgjojnë do të jenë më të përkushtuar. Mos e lini për të nesërmen. Pas pak orësh ose mbas kthimit tuaj do të ishte shumë mirë, nëse personat që ju duan e kanë kërkuar kthimin tuaj. Temperamenti juaj nuk mund të ndryshojë, thjesht pranojeni atë dhe mendoni të veproni në rrjedhën që ai ka marrë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.