Prej 10 muajsh jam e martuar, por s’mund të mos e pranoj karakterin tim të vështirë (për shkak të të cilit kam prishur shumë lidhje të mëparshme), i cili po më rrezikon edhe këtë lidhje. Reagoj me nervozizëm dhe shpesh sherri mes nesh fillon nga gjëra të vogla, që unë e shtyj aq shumë sa dalim nga shtëpia të nervozuar. Hë për hë, im shoq duket sikur po i përballon furitë e nervozizmit tim. Por a do të mundet gjatë? Kurse unë, edhe pse do të doja të isha ndryshe, nuk arrij ta kontrolloj veten. Çfarë zgjidhjeje më sugjeroni?
E dashur, shqetësimi juaj është shumë i pranishëm tek një pjesë e mirë e njerëzve. Karakter i vështirë, thoni ju për veten… Por ta dini, karakteri, mendoj, ndërtohet.
Përgjatë rrugës ne mësojmë dhe pësojmë shumë gjëra. Nga ana tjetër, stresi që mund të keni, ndikon shumë në krijimin e nervozitetit tek njerëzit. Në këtë rast sugjerohet që t’u nënshtroheni terapive ose teknikave relaksuese për të menaxhuar sa më mirë stresin.
Disa prej këtyre teknikave mund të gjenden në aktivitete. Mund të bëni joga, t’i nënshtroheni një fizioterapie, aktiviteteve sportive, vrap, not etj. Të gjitha këto të ndihmojnë të menaxhoni stresin. Elementë të jogas siç është meditimi ju ndihmojnë të vendosni kontaktin me veten, aktivitetet e tjera të shkarkoni energji trupore që tensionojnë vazhdimisht jo vetëm anën fizike por mbi të gjitha atë emocionale, mendore.
Këshilla e fundit, por jo më e parëndësishmja, është: “kur të jeni të zëmëruar numëroni deri në 10, më shumë të zemëruar, deri në 100.”
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.