Jam një vajzë 25 vjeçe dhe ju shkruaj për të më këshilluar për një histori të vështirë dashurie. 19 vjeçe njoha një mashkull që ishte 20 vjet më i madh se unë. Kishim shumë të përbashkëta, aq sa me gjithë kundërshtimin e prindërve, vazhdova duke e shijuar si një histori të bukur dashurie. Në fakt, R. ishte mashkulli ideal dhe unë isha shumë mirë me të. Pas pesë muajsh diçka në ndërgjegje më thoshte të këshillohesha me nënën se dhe ajo po vuante. Nisi të më vriste ndërgjegjja se si do të isha unë nënë në moshën 30-vjeçare ndërsa ai 50 vjeç. Ajo filloi të më shpjegonte shumë gjëra. Paskëtaj u ndava me R. Të dy e dinim se nuk mund të ecte kjo lidhje. Por tashmë kam të tjera probleme. E para të dy vuajmë dhe e dyta më mungon tmerrësisht dhe dua ta shoh e përqafoj.
Në moshën tuaj ka shumë vajza që lidhen me partnerë më të mëdhenj se vetja. Jo gjithmonë këto lidhje janë të shëndetshme dhe jo gjithmonë përfundojnë mirë. Rreziku më i madh është se 20 vjet më shumë do të thotë, 20 vjet hapësirë në botëkuptimet tuaja. Ju sapo keni kaluar kufijtë e adoleshencës dhe personi në fjalë sapo u është afruar kufijve të moshës adulte të mesme.
Fillimisht ju prezantova situatën sikurse do ta shikonte çdokush që njihet me historinë tuaj, pa reflektuar shumë gjatë, por situatat e “zemrës” janë unike në qasjen e tyre dhe vlen të trajtohen si të këtilla. I kuptoj shumë mirë prindërit dhe gjithashtu ndërgjegjësimin që keni në raport me “dhimbjen” e tyre. Pavarësisht nga kjo, vlen të merret në konsideratë, mbi të gjitha, ndjenja juaj dhe se sa racionale ose jo është ajo.
Thonë që dashuria nuk ka moshë. A e doni ju partnerin tuaj? A ju shqetëson mosha? Nëse të paktën njëra nga këto përgjigje tregon pohim, atëherë duhet parë seriozisht, pasi do të jetë po ndjenja juaj e cila do të lëndohet. Ju shqetëson më shumë të mos jeni pranë partnerit tuaj, apo të shikoni prindërit të vuajnë që ju jeni lidhur më një partner më të madh?
Kujdes! Edhe pse teorikisht ju keni të drejtë të vendosni për jetën tuaj, është mbi të gjitha e vlefshme që të respektoni “si ndjehem unë në raport me X faktor”. Shoqëria na indukton shumë elementë që na shtyjnë në vendime jo-racionale, andaj vlen të mendoheni objektivisht nën kupolën e mendimeve dhe ndjenjave tuaja. Pasi t’u keni kthyer përgjigje këtyre pyetjeve, do të jeni të ndershëm e më të qetë në veprimet që do të ndërmerrni.
Ekuilibri midis dëshirës suaj dhe realitetit objektiv të kësaj situate është një vendim që në të dyja rastet do të kërkojë përpjekje (vuajtje, lëndim) nga ana juaj, pasi zgjedhjet e kësaj natyre kanë treguar se janë realisht të ashpra, por që koha i tregon frytet e saj.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.